Partitë opozitare, VV dhe PSD, kundër termocentralit `Kosova e Re`

Partitë opozitare, VV dhe PSD, kundër termocentralit `Kosova e Re`

Partitë opozitare, VV dhe PSD, nuk do të votojnë garancitë e Qeverisë së Kosovës, ndaj partnerit privat Contour Global për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. E LDK ende nuk ka marrë vendim për këtë. Garancitë e qeverisë duhet të ratifikohen me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Përderisa shoqëria civile shprehet kundër ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re duke e quajtur projekt të dëmshëm, Qeveria e Kosovës vazhdon me projektin të cilin e quan të nevojshëm dhe për të cilin është e gatshme të japë edhe garanci partnerit privat. Por, dhënia e garancive të tilla nënkupton që Qeveria e Kosovës është duke marrë obligime dhe ato duhet të ratifikohen me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare. Por, sigurimi i atyre votave në kohën kur shpesh nuk mund të sigurohet as shumica e thjeshtë, duket mision i vështirë. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajci, thotë se nuk do të votojnë asgjë sa i përket garancive për ndërtimin e Termocentralit. 

“Lëvizja Vetëvendosja të gjitha marrëveshjet që janë në interes të vendit i voton, por këtu kur është fjala për “Contour Global” kemi një qasje tjetër, për arsye se kontratat dhe zhvillimet e përgjithshme të energjetikës, çojnë në rritjen e barrës te vetë qytetari, për shkak se rritet pagesa e rrymës elektrike për konsumatorin”, thotë ai. 

Kundër ratifikimit të garancive të qeverisë për partnerin privat “Contour Global” shprehet edhe Dardan Sejdiu, nga PSD. 

“Në fakt është e vetmja PSD-ja që po e lufton këtë gjë zhurmshëm, me interpelanca, dy deri tash, me konferenca për shtyp edhe me punën në Kuvend dhe normalisht që nuk e votojmë. Jemi plotësisht kundër dhe është një prej projekteve më të dëmshme ekonomike për Republikën”, tha Sejdiu. 

E zyrtarët e LDK-së nuk deshën të prononcohen për këtë çështje. Deputetja Hykmete Bajrami tha se ende nuk është diskutuar kjo punë në kryesinë e LDK-së. Ndryshe, sipas projektit, Qeveria e Kosovës do të lëshojë garanci të pagesës dhe performancës për obligimet e Blerësit; garanci për obligimet e Divizionit të Mihjes së KEK-ut; garanci për dëmet që dalin nga Marrëveshja për Largimin e Hirit dhe Gipsit, për mos furnizim me ujë. Garancitë nga Qeveria e Kosovës pritet të mbështeten edhe nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) në formë të garancive që mbulojnë elementet e pavarura të rrezikut, përfshirë shkeljen e kontratës nga Qeveria e Kosovës. 

Autor: Muharrem Saragjolli, Radio Kosova


MË SHUME NGA Ekonomi