Asfaltohet rruga `Gursel e Bajram Sylejmani` në Ferizaj

Asfaltohet rruga `Gursel e Bajram Sylejmani` në Ferizaj

Tortura përgjatë kalimit në njërën nga arteriet kryesore të qytetit, pluhuri dhe balta në rrugën "Gursel e Bajram Sylejmani" tashmë i takojnë së kaluarës me projektin e rikonceptuar për rregullimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë urbane.

Ndonëse të përballur me rezistencën e disa banorëve, kryesisht uzurpatorë të pronës publike, që vonuan kohën e realizimit të këtij projekti, pas rregullimit përfundimtar të infrastrukturës nëntokësore, rregullimin e ndriçimit publik dhe nyjave të tjera, sot u asfaltua edhe shtresa e parë e këtij segmenti rrugor, vital për qarkullimin ndërurban.

Për të përcjellë punimet, doli edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me nënkryetarin e Komunës dhe drejtorë të drejtorive komunale. Ai tha se ky investim po nis përfundimin e një bezdie që qytetarëve dhe bizneseve në këtë zonë i pati vështirësuar veprimtarinë dhe qarkullimin e përditshëm.

"Është një projekt i rëndësisë së veçantë, duke pasur parasysh se rruga Gursel e Bajram Sylejmani paraqet një ndër arteriet kryesore të futjes në qytet nga drejtime të ndryshme, duke përfshirë drejtimit e Kaçanikut, Vitisë por edhe Shkupit. Është një ndër projektet më të rëndësishme të zonës urbane që Komunës së Ferizajt i ka kushtuar rreth 430 mijë euro. Ky projekt nuk ka pasur shteg të biçikletistëve dhe ne e kemi ndryshuar dhe kemi futur edhe shtegun e biçikletistëve, nuk e ka pasur ndriçimin publik si duhet, e kemi bërë edhe atë, jemi marr edhe me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën nëntokësore, qoftë me ujësjellës në segmente të caktuara, me kanalizim atmosferik dhe fekal në segmente të caktuara por me rëndësi është që ne më në fund po e fillojmë përfundimin e këtij projekti, çka ka qenë një projekt me bezdisje të gjatë për vet rëndësinë që paraqet kjo rrugë por edhe për shkakun që përfshinë një numër të madh të banorëve të qytetit të Ferizajt", tha i pari i Ferizajt.

 

Aliu shtoi se për këtë zonë dhe si pjesë e këtij segmenti do të zhvillojë edhe projekte të tjera siç janë nënkalimet, nënkalimi te Plus Market, nënkalimi që lidhet me kryqëzimin e Xhamisë së fshatit Nikadin, si dhe nënkalimi në Varosh për të cilën janë duke u zhvilluar punimet.


MË SHUME NGA Nacionale