Procedura të reja për vizë amerikane nisin nga vjeshta

Procedura të reja për vizë amerikane nisin nga vjeshta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përfunduar ndërtesën e re  ku do ta vendosin misionin e tyre diplomatik. Objekti  është inauguruar më 4 korrik, kur amerikanët e festojnë ditëlindjen e shtetit të tyre.

Në një përgjigje për Gazetën Express ambasada amerikane bën me dije se puna në „shtëpinë e re“ do të fillojë në vjeshtën e hershme, kur edhe do të bëhet edhe një njoftim për vizat. Qytetarët e Kosovës ende duhet të udhëtojnë për viza në Shkup ndërsa një pjesë e tyre, varësisht nga lloji i vizës, mund të pajisen në Prishtinë.

Objekti i ri i ambasadës amerikane kishte filluar të ndërtohet në maj të vitit 2015, në një hapësirë prej 5 hektarësh. Në kohën kur ka filluar ndërtimi i ambasadës së re amerikane, ishte thënë se në objektin e ri do të fillojë edhe aplikimi për të gjitha llojet e vizave pa patur nevojë të udhëtohet në Shkup ku edhe janë kryer procedurat e aplikimit për viza për qytetarët e Kosovës.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë për Gazetën Express se ende nuk është bërë ndonjë ndryshim sa i përket vendit dhe llojit të shërbimeve për viza në Kosovë.

Më 4 korrik 2019 për nder të Ditë së Pavarësisë së SHBA-së, në Prishtinë është hapur ambasada amerikane. Ambasada e re në Prishtinë konsiderohet si më e madhja në Ballkan.

Edhe pse ambasada amerikane në Prishtinë është më e madhja në Ballkan, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të aplikojnë për disa nga llojet e vizave amerikane në ambasadën amerikane në Shkup.

Të kontaktuar nga Express rreth kësaj çështje, zyrtarët nga ambasada amerikane kanë thënë se ende nuk ka ndonjë ndryshim rreth çështjes së aplikimit për viza.

““Për momentin Ambasada e SHBA-ve nuk ka bërë ndonjë ndryshim sa i përket vendit dhe llojit të shërbimeve për viza në Kosovë”.

Sipas zyrtarëve të ambasadës, lëvizja në ndërtesën e re pritet të ndodhë në vjeshtë.

“Ambasada pret të lëvizë në ndërtesën e re të saj në vjeshtën e hershme me ç ‘rast ne do të shpallim procedurat e reja për aplikime për viza”.

Ambasada ka njoftuar që aplikuesit të udhëzohen në ueb faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Ne inkurajojmë aplikuesit që të përcjellin udhëzimet që gjenden në faqen e internetit të ambasadës kur të aplikojnë: https://xk.usembassy.gov/visas/

Qytetarët e Kosovës kanë mundësi të aplikojnë për vizë në ambasadën amerikane në Prishtinë për disa lloje të vizave.

Për vizat jo imigruese, përkatësisht për vizitë dhe turizëm, kosovarët mund të aplikojnë në Prishtinë   vetëm nën moshën 14-vjeçare dhe mbi 50-vjeçare. Grup moshat tjera për këto lloj vizash duhet të aplikojnë në ambasadën amerikane në Shkup.

Aplikimet për punësim të përkohshëm, biznes, studim dhe shkëmbime studimi që hyjnë në llojin e vizave jo imigruese qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë në Prishtinë.

Për llojin tjetër të vizave që njihen si viza imigruese, aplikantët kosovarë mund të aplikojnë për viza në ambasadën amerikane në Prishtinë.

Në vizat imigruese hyjnë vizat familjare, martesore, vizat imigruese për punësim, dhe vizat për programin e qeverisë amerikane që njihet si Green Card Lottery. 


MË SHUME NGA Aktuale