Në Bosnje nis marshimi drejt Srebrenicës

Në Bosnje nis marshimi drejt Srebrenicës

Rreth 6,000 njerëz nga fshati Nezuk, në verilindje të Bosnjës, nisën të hënën marshimin drejt Srebrenicës.

Ata planifikojnë të arrijnë atje pas tre ditësh, për të kujtuar 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende.

Të enjten, më 11 korrik, në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të bëhet varrimi kolektiv i viktimave të identifikuara gjatë vitit të fundit.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje, transmeton REL.

Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid.

Marshimi drejt Srebrenicës, që njihet edhe si Marshimi i Paqes, bëhet çdo vit, në kujtim të njerëzve që në vitin 1995 kanë përshkuar të njëjtën rrugë, në përpjekje për të gjetur shpëtim.