Basha: Rama dëshiron të jemi të nënshtruar

Basha: Rama dëshiron të jemi të nënshtruar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka quajtur qeverinë Rama si më të korruptuarën në Evropë, duke thënë se opozita vazhdon të jetë këmbëngulëse për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ai gjatë një fjalimi në protestën e dhjetë të opozitës sonte në Tiranë deklaroi se më 30 qershor u izolua krimi dhe u ndëshkua krimi.

“Jeni triumfi i shpresës mbi dëshpërimin, jeni triumfi i kurajës mbi frikën dhe triumfi i popullit ndaj këtij regjimi. 30 qershori është një referendum kundër së keqes”, tha Basha duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.

“30 qershori hyri në histori si dita kombëtare e kurajës kur shqiptarët treguan se shqiptarët kanë forcën të ndahen nga e keqja. 30 qershori ishte dita kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminel të Edi Rama”, shtoi ai.

Kreu demokrat tha se kryeministri Rama vodhi votat edhe në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat i bojkotoi PD-ja.

“Edi Rama bleu, kërcënoi, joshi dhe prapë nuk ia doli ta mbyste vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. 30 qershori dhe shumë ditë të tjera më parë në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë ka qenë triumfi i vërtetës dhe i bashkimit mbi përçarjen. Regjimi i Ramës me gënjeshtra u mundua të trembë shqiptarët të mos bëhen bashkë kundër tij. Rama do që ne jemi të nënshtruar, të heshtur, sepse kështu na plaçkit e na grabit dhe kështu ruan pushtetin dhe paratë që ka vjedhur”, u shpreh Basha, duke shtuar se Qeveria Rama është më e korruptuara në Evropë.