Ndryshim qeverie në pikun e pushimeve në Greqi

Ndryshim qeverie në pikun e pushimeve në Greqi

"Revolucioni majtist" i Alexis Tsiprasit mori fund - zgjedhësit grekë janë kthjelluar prej iluzioneve, mendon Spiros Moskovou.

"Nuk do t'ua prishim njerëzve pushimet", thoshte në vitet 80-të ish-kryeministri socialist i asaj kohe Andreas Papandreou, pasi këshilltarët e tij propozonin që në verë të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Kryeministri i aktual i majtë Alexis Tsipras nuk iu përmbajt këtyre këshillave duke nxitur zgjedhje të parakohshme në verë. Dhe i humbi ato. 

Mbi 40 % e grekëve nuk iu përgjigjën thirrjes për votime, ndërsa Tsipras dhe partia e tij SYRIZA humbën zgjedhjet. Fitoi me shumicë të madhe votash partia konservatore Nea Dimokratia, me liderin e saj Kyriakos Mitsotakis.

Por ndryshimi i pushtetit në Greqi nuk është pasojë vetëm e verës dhe e motit të nxehtë. Zgjedhësit në këtë vend të kapluar nga kriza janë dezilozionuar dhe tani e dinë se kthimi në kohën para krizës është i pamundur. Tsipras u zgjodh në vitin 2015 me shumicë, pas premtimeve të tij për heqjen dorë nga programet e kursimeve dhe se do të evitojë falimentimin. Por vetëm brenda një viti ai kërkoi nga kredidhënësit ndërkombëtarë një paket të tretë ndihme për shpëtimin e vendit, ndërkohë që politika e kursimeve vazhdoi me të njëjtin ritëm. Nga revolucioni majtist u krijua një menaxhim socialdemokrat i krizës.

Përmirësimi i gjendjes nuk mjaftoi

Qeveria e Tsiprasit është qeveria me kohëzgjatjen më të madhe që nga viti 2010, kur Greqia kërkoi ndihmë për shpëtim nga falimentimi, sepse nuk ishte në gjendje të mbijetonte e vetme. Në kohën e qeverisë së SYRIZA-s  vendi ka shënuar një rritje të ulët ekonomike, ndërsa në vitin 2018 u dha fund programeve të shpëtimit. Athina mund ta financojë tani e vetme buxhetin dhe mund të përfitojë nga rigjallërimi i turizmit.

Me fjalë të tjera, Kyriakos Mitsotakis, një politikan i moderuar, nuk do të marrë në dorë një vend buzë humnerës. Megjithatë pritjet nga pasardhësi i dinastisë politike Mitsotakis janë shumë të mëdha. Greqia ende është nën mbikqyrjen e kredidhënësve dhe ka nevojë për një rritje shumë më të madhe ekonomike. Papunësia në vend ka rënë nga 26 në 18%, por Greqia është ende vendi me papunësinë më të lartë në BE. Vendi ka nevojë emergjente për investime, të cilat ende mungojnë. Nea Dimokratia tani duhet të marrë përgjegjësinë për zhvillimin e vendit.

Ndaj nuk pritet se konservatorët do të prekin arritjet më të mëdha të qeverisë Tsipras, siç është arritja e marrëveshjes me Shkupin për emrin e Maqedonisë së Veriut. Mitsotakis e ka kritikuar hapur këtë marrëveshje disa herë dhe ka paralajmëruar se do të rinegociojë disa pjesë të saj. Ai megjithatë nuk do ta bëjë këtë, sepse me këtë ndonëse do të bënte për vehte një numër të konsiderueshëm të zgjedhësve "patriotë", nga ana tjetër do të ngjallte pakënaqësi të mëdha tek bashkësia ndërkombëtare./DW