KEDS-i do të punojë me bizneset

KEDS-i do të punojë me bizneset

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka folur rreth sfidave dhe pengesave të bizneseve me energji elektrike.

Në këtë konferencë ku morën pjesë përfaqësuesit e sektorit të ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimorë u diskutua lidhur me pengesat dhe sfidat me të cilat ky sektor po ballafaqohet në Kosovë.

Bizneset ankohen lidhur me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe mungesën e energjisë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset janë të pakënaqura pasi që energjia elektrike është e shtrenjtë dhe shërbimet nuk janë të mira.

“Ky sektor është një nga sektorët më zhvillimor në vend. Mbi 1miliardë euro, rreth 60% janë të investuara në patundshmëri dhe për këtë duhet të kemi trajtime të mira nga institucionet e vendit. Energjia elektrike e vendit ka shënuar përmasime të mëdha në krahasim me vitet e kaluara. Bizneset janë të pakënaqura se energjia elektrike është e shtrenjtë dhe shërbimet nuk janë të mira, këtë çështje e kemi biseduar edhe para Kryeministrit, por problemet mund të zgjidhen vetëm me dialog”, tha ai.

Kryesuesi i Sektorit të Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialit, Brahim Selimaj, tha se po shfrytëzohen nga KEDS-i në mënyrën më të keqen të mundshme derisa ata nuk po ofrojnë asnjë shërbim për bizneset.

“Jemi të shfrytëzuar nga KEDS-i në mënyrën më të keqe të mundshme sepse ju nuk ofroni asnjë shërbim për bizneset. Ne kërkojmë nga ju që mos të mendoni që trafat e tona t’i merrni ju , por ato të merren si mirëmbajtje nga ju. Ne kërkojmë mirëkuptim dhe ne nuk do të ndalemi deri në plotësimin e këtyre kushteve”, tha Selimaj.

Drejtori Ekzekutiv i Divizionit të Rrjetit në KEDS, Alpin Dogan, ka thënë se në 39 komuna sa i kanë vizituar, mbi 60 për qind e kërkesave të tyre janë plotësuar.

“Siç jeni në dijeni, kohëve të fundit ne kemi pasur ndryshime në KEDS. Ne duhet të rrisim bashkëpunimin me këto organizata  dhe deri më tani i kemi vizituar rreth 39 komuna, të gjitha kërkesat që i kanë kërkuar këto komuna mbi 60% janë plotësuar. Natyrisht gjithmonë ka probleme , por ne jemi këtu për t’i zgjedhur së bashku problemet. Si KEDS në vitin 2013/14 me rastin e privatizimit, ne e kemi bërë një analizë  e cila është në përputhje me ligjet e Kosovës. Ne në 2017 e kemi dërguar metodologjinë për kyçje ne Zyrën e Rregullatorit, por ende jemi në pritje dhe kërkojmë nga bizneset t’i dërgojnë të gjitha sugjerimet në Zyrën e Rregullatorit në mënyrë që problemet të zgjidhen”, tha ai, raporton EO.

Autor: RTKlive