​Kërkohet një muaj paraburgim për 44-vjeçarin që u kap me marihuanë

​Kërkohet një muaj paraburgim për 44-vjeçarin që u kap me marihuanë

Prokuroria Themelore në Gjilan i ka kërkuar gjykatës kompetente të kësaj komune caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj një personi, për shkak të dyshimit se tek i njëjti janë gjetur mbi një kilogramë narkotikë e llojit marihuanë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari B.M. 44-vjeç, dje rreth orës 11:30 në fshatin Rogoçicë të komunës së Kamenicës, në drejtim të pikës kufitare Breznicë, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes ka poseduar substanca narkotike, me ç’rast gjatë kontrollimit, në automjetin e tij, nga ana e policisë, janë gjetur katër paketime substancë narkotike, dy nën ulësen e vozitësit dhe dy nën ulësen e pasagjerit.    

Sasia ka qenë pak më shumë se 1 kilogramë marihuanë e cila është konfiskuar.

Me këto veprime, dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, me kërkesë të prokurorit të çështjes janë sekuestruar përkohësisht edhe një veturë e markës Mercedes, para të gatshme rreth 1560 euro dhe 500 lekë, si dhe tre telefona mobilë.