Në gusht nis vettingu në polici

Në gusht nis vettingu në polici

Vettingu në Policinë e Shtetit pritet të fillojë javën e parë të gushtit me 245 drejtuesit e parë me funksione dhe grada të larta.

Të parët para sitës së vettingut do të dalin drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu, e më pas me zv/drejtorja Aida Hajnaj, dhe më pas drejtorët e drejtorive në qendër.

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, tha se faza e parë për 245 drejtuesit me funksione dhe grada të larta do zgjasë deri rreth 1 vit.

“Ne shpresojmë që në fillim të gushtit të fillojnë seancat e para, por gjithsesi kjo nuk duhet marrë si absolute. Sipas ligjit në ditët e para të qershorit të 2020 ky proces duhet të ketë përfunduar.

Ashtu siç e parashikon dhe ligji i Policisë së Shtetit, efektivët të cilët nuk do kalojnë vettingun nuk do kenë mundësi të rikthehen në radhët e bluve ndërsa vendet bosh do të mbushen me prurjet nga akademia e policisë.

Ne kemi parashikuar një masë më të butë që nuk është përjashtimi. Kemi menduar që nëse dikush, edhe këtë e parashikon edhe ligji, nëse dikush ka integritet dhe justifikon edhe pasuritë, nëse ka mangësi në pjesën profesionale, mund të riedukohet, riformohet tek akademia e sigurisë dhe mund të shërbejë në Policinë e Shtetit”, tha Hodaj.

Rreth 13 mijë efektivë policie pritet të kalojnë në filtrat e vettingut, proces që do të kryhet në pallatin e kongreseve, në sallat ku po kalojnë në sitë dhe njerëzit e drejtësisë. Vlerësimi në fazën e parë do të bëhet nga një Komisioni i jashtëm i përbërë prej 15 personash, që do të ndahen në tri grupe, ndërsa faza e dytë dhe e tretë do të zhvillohen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave./Ora News/