Së paku 11 të vdekur në një aksident hekurudhor në Pakistan

Së paku 11 të vdekur në një aksident hekurudhor në Pakistan

Së paku 11 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një tren pasagjerësh u përplas me një vagon mallrash në lindje të Pakistanit, thanë zyrtarët.

Oficeri i policisë, Hafeez Bugti, tha se numri i viktimave mund të rritet, pasi së paku tre të plagosur janë në gjendje kritike, ndërsa pasagjerë të tjerë mund të jenë ende të bllokuar brenda trenit.

Shefi i policisë, Umer Salamat, tha se treni ka qenë duke udhëtuar nga qyteti Lahore për në provincën Baluçistan, kur ka ndodhur aksidenti pranë qytetit Rahim Jar Khan.

Shkaku i aksidentit nuk dihet ende.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha se është "i trishtuar nga lajmi" dhe urdhëroi autoritetet që të sigurojnë kujdesin më të mirë mjekësor për të plagosurit, transmeton REL.

Aksidentet me trena nuk janë të pazakonshme në Pakistan, kryesisht për shkak të infrastrukturës së dobët hekurudhore.