"SHBA shqyrton lehtësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut"

"SHBA shqyrton lehtësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut"

Administrata e Trump-it mendon të ofrojë suspendim prej 12 deri në 18 muaj të “disa sanksioneve” nëse Koreja e Veriut shpërbën centralin e saj kryesor bërthamor dhe ngrin të gjithë programin bërthamor.

Raportohet se Washingtoni shqyrton lehtësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, e cila mund të shtrihet në një periudhë deri në 18 muaj, nëse Pheniani plotëson disa kushte.

Agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap, duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë, tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, mendon të ofrojë suspendim prej 12 deri në 18 muaj të “disa sanksioneve” nëse Koreja e Veriut shpërbën centralin e saj kryesor bërthamor Yongbyon dhe ngrin të gjithë programin bërthamor.

Që nga viti 2006, Koreja e Veriut po përballet me sanksione të ashpra nga OKB-ja dhe SHBA-të, kur Pheniani kreu testet e para bërthamore.

Oferta, nëse është e vërtetë, vjen pasi presidenti Trump muajin e kaluar takoi udhëheqësin verikorean, Kim Jong-un, në zonën e demilitarizuar (DMZ përgjatë kufirit Veri-Jug). Trump kaloi në Korenë e Veriut dhe shtrëngoi duart me Kim-in duke u bërë presidenti i parë i SHBA-ve ndonjëherë që ka bërë këtë.

“Oferta e mundshme do të shohë pezullimin e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kufizojnë eksportet e qymyrit dhe tekstileve të Koresë së Veriut”, thuhet në raport.

Qymyri dhe tekstilet janë një burim kyç i të ardhurave për vendin komunist.

Trump dhe Kim gjatë takimit të tyre në DMZ ranë dakord të rifillojnë dialogun dypalësh mbi denuklearizimin e Gadishullit Korean që dështuan në samitin e dytë midis dy liderëve në Hanoi të Vietnamit.

“Shtëpia e Bardhë, kur fillojnë bisedimet e nivelit të punës, dëshiron të vendosë kushtet në të cilat ata mund të fillojnë procesin e denuklearizimit të Koresë së Veriut”, tha burimi i administratës së presidentit amerikan për Yonhap.

Burimi tha se pezullimi i sanksioneve mund të ripërtërihet nëse përparimi në denuklearizimin “lëviz me një ritëm të mirë”, por kthehet prapa nëse Koreja e Veriut mashtron në ndonjë mënyrë./aa/