​Stuhia në Greqi, rritet numri i viktimave, mes tyre fëmijë

​Stuhia në Greqi, rritet numri i viktimave, mes tyre fëmijë

Bilanci tragjik nga moti i keq dhe një shtrëngate të furishme që shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në Greqinë veriore është rritur.

Numri i viktimave të cilët kanë humbur jetën nga stuhia në Greqi tashmë ka shkuar në 7, gjashtë prej të cilëve janë turistë, ndërsa trupi i një peshkatari 62-vjeç u gjet në breg të detit.

Autoritetet njoftojnë edhe për të paktën 100 të tjerë të plagosur.

Një grua dhe një djalë 8-vjeçar nga Rumania humbën jetën nga shembja e çatisë së një restoranti, ndërsa një shtetas rus dhe djali i tij i vogël vetëm 2 vjeç nuk arritën t’i mbijetojnë plagëve të marra nga rënia e një peme.

Një çift i moshuar nga Çekia u vra mbrëmjen e së mërkurës pasi erërat e fuqishme nxorën nga rruga dhe shtynë drejt një kanali lumor rulotin me të cilin po udhëtonin.

Në qendrat spitalore u shtruan pacientë nga mosha 8-muajshe deri në 70 vjeç si pasojë e lëndimit nga rrëzimi i pemëve apo objekteve të tjera.

Pesë fëmijë, katër vajza dhe një djalë, moshës 3.5 deri në 13 vjet, u plagosën rëndë nga objektet.