Gjenerali serb s`e duron praninë e Kosovës, lëshon mbledhjen në Bruksel

Gjenerali serb s`e duron praninë e Kosovës, lëshon mbledhjen në Bruksel

Gjenerali Pedrag Bandic, shef i delegacionit të Serbisë, nuk ka duruar praninë e zyrtarëve të Kosovës në mbledhjen e mbajtur në Bruksel për normalizimin e aviacionit në Ballkan. Ai e ka lëshuar takimin.

Kjo ka ndodhur në momentin kur aty i kanë filluar diskutimet zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Burim Ramadani, dhe drejtori i Autoritetit Civil të Aviacionit, Eset Berisha.

“Sjelljet e këtilla të Gjeneralit serb nuk i kontribuojnë qasjes së përbashkët rajonale të normalizimit të aviacionit në Ballkan. Shpreh keqardhjen time për këtë veprim”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka komentuar edhe në Facebook për qëndrimin në Bruksel.

"Në NATO, u mbajt takimi për normalizimin e aviacionit në Ballkan

Ishte kënaqësi që bashkë si delegacion i Kosovës të marrim pjesë në takimin e BANM (Takimet e Normalizimit të Aviacionit në Ballkan), sot në selinë qendrore të NATO-s, në Bruksel.
Qartësuam pozicionin e Kosovës për hapjen e hapësirës së ulët ajrore, duke funksionalizuar kështu zgjidhje për uljen e kostos së çmimeve të biletave të fluturimit për qytetarët tanë.
Kosova është plotësisht e vullnetshme për të punuar me NATO-n dhe KFOR-in në kornizën kohore të dakorduar, në mënyrë që të përfundojmë situatën e deritashme të paarsyeshme. 
Hapja e hapësirës së ulët ajrore do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në koston e çmimeve dhe kohëzgjatjen e fluturimeve, rrjedhimisht në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. 
Një ditë e mirë në Bruksel me Eset Berishën, drejtorin e ACA-s, me Ismail Berishën, drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës, Arianit Islamin nga ACA, Merita Makollin nga ASHNA, dhe Kol. Ahmet Ajetin, Atasheun e Mbrojtjes në Bruksel", ka shkruar ai.