Nis projekti që ka synim ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë

Nis projekti që ka synim ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë

Ka filluar projekti “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë (QAINT)”, projekt ky trevjeçar që ka për qëllim ta ngrit sistemin e arsimit të lartë në Kosovë në nivel të standardeve ndërkombëtare.

Pjesë e këtij përurimi të projektit ishte dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se ky është projekti i dytë që po lanësohet këtë vit dhe do të shërbejë në ngritjen e cilësisë në arsim.

“Ky projekt është një përgatitje direkte që do të shërbejë në ngritjen e cilësisë në arsim. Ky projekt është i dizajnuar ashtu që do të mbështet Agjencionin Kosovar të Akreditimit dhe Universiteteve të tjera”, tha ministri Bytyqi.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Austrisë, Gernt Pfander tha se ky projekt do t’i shërbejë më së shumti ngritjes së cilësisë së arsimit dhe synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ne kemi zgjedhur arsimin si fokus të veçantë për arsye të caktuar, sepse ne besojmë në rininë e Kosovës. Ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësuar cilësinë në arsimin e lart në Kosovë”, tha ai.

Projekti financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), e mbështetur nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), Organizata për Ngritje të Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe Qendra për Inovacion Shoqëror (ZSI).