Ministria e Integrimeve i reagon Shpend Ahmetit për sallën koncertale

Ministria e Integrimeve i reagon Shpend Ahmetit për sallën koncertale

Ministria e Integrimeve Evropiane i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se kjo Ministri po bënë bllokim politik për sallën koncertale në Prishtinë.

Në reagimin e MIE thuhet se kjo Ministri nuk është institucioni që bën ridestinimin e mjeteve të BE, prandaj sipas tyre nuk është e vërtetë që MIE ka kërkuar nga BE ridestinimim e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve.

Sipas reagimit kjo Ministri i ka dërguar shkresë Kryetarit Ahmeti duke i kërkuar që t’i informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve. Ndërsa sipas tyre Ahmeti, nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën që i është bërë.

Ndërsa kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Ministria e Integrimeve krye në vete i ka dërguar letër BE-së për ridestinimin e 15 milion eurove të fondit IPA 2019.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Dëshirojmë të informojmë opinionin publik që Ministria e Integrimit Evropian (MIE) nuk është institucioni që bën ridestinimin e mjeteve të BE, prandaj nuk është fare e vërtetë që MIE ka kërkuar nga BE ridestinimim e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve. Sa për informacion, Menaxhimi i fondeve të BE-së në Kosovë është i formës së centralizuar, pra është BE ajo që vendos për fonde të saj e jo Kosova.

Prandaj, ne kemi punuar intensivisht me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës. Përpos takimeve që kemi pasur, më 2 maj 2019 Ministria e Integrimit Evropian i ka dërguar shkresë Kryetarit Ahmeti duke i kërkuar të na informojë për gjendjen mbi lokacionin e sallës së koncerteve. Kurse Kryetari Ahmeti, nuk është përgjigjur asnjëherë në kërkesën tonë, ndërkohë që tash paraqitet si i brengosur.

Meqë lokacioni i propozuar nga Komuna e Prishtinës nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike, Zyra e BE-së na ka njoftuar që mjetet financiare që ishin të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve në kuadër të pakos IPA 2019, do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A, projekt ky po ashtu në kuadër të IPA 2019 dhe i cili sipas vlerësimeve paraprake të Zyrës së BE-së po del të jetë më i shtrenjtë se sa ishte paraparë.

Ndërkohë që, sipas Zyrës së BE-së, kur të gjendet lokacioni tjetër për sallën e koncerteve, atëherë BE do të ndajë mjetet e nevojshme financiare në kuadër të fondeve në ardhje IPA III 2021-2027. Pra, edhe pse Zyra e BE-së ka bërë ridestinimin e mjeteve financiare, ajo çfarë është e rëndësishme këtu është fakti që mjetet nuk janë humbur, por gjithashtu MIE nuk ka shkruar letër për ridestinim, por ka qene BE-ja që ka vendosur dhe na ka njoftuar lidhur me këtë vendim. Kryetari Ahmeti mos angazhimin e vet për të gjetur një lokacion tjetër për ndërtimin e sallës nuk mund ta mbuloj me shfajësim dhe hedhje të fajit aty ky nuk është!


MË SHUME NGA Aktuale