Debreceni thyen Kukësin në pjesën e dytë

Debreceni thyen Kukësin në pjesën e dytë

Kukësi nuk ia del të marrë rezultat pozitiv me Debrecenin në transfertë.

Përkundrazi, nënkampionët e Shqipërisë, edhe pse zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, me raste të shumta shënimi, i shpërfytyruan brenda gjysmë ore lojë në fraksionin e dytë, duke u detyruar ta nxirrnin plot tri herë topin nga rrjeta.

Depërtimi i frikshëm i Valdet Ramës në fillim të ndeshjes, shtylla e Rrocës dhe grushti i portierit Nagi në fund të fraksionit të parë ishin momentet më pikante në favor të Kukësit, që u ndëshkua në minutën e 54-t nga Garba, një lojtar që kishte vetëm pak minuta në fushë.

Skuadra e Ernest Gjokës ishte e detyruar të shtonte presionin në gjysmëfushën kundërshtare, për të shmangur humbjen, por Varga realizoi dygolësh në minutat 77’ dhe 83’, duke vulosur fitoren 3-0 të skuadrës hungareze.

Një humbje e rëndë kjo për Kukësin, që do ta ketë një mision thuajse të pamundur përmbysjen e rezultatit në ndeshjen e kthimit.