Veseli: Iniciativa për listat e veteranëve, mbron luftëtarin e UÇK-së

Veseli: Iniciativa për listat e veteranëve, mbron luftëtarin e UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se iniciativa e tij për një Komision Hetimor për Listat e Veteranëve është për të mbrojtur emrin e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ndalë manipulimin e abuzimin në emër të saj.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli tha se nuk do të lejojë që të vazhdohet me abuzime dhe që luftëtari i UÇK-së të jetë lëmoshë.

 

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e kombit tonë. Statusi i luftëtarit të UCK-së është i shenjtë. Askush nuk ka të drejtë me e mohu dhe as me abuzu në emër të UÇK-së. Çdo veprim të cilin e bëj, edhe në këtë iniciativë, dëshiroj ta theksoj këtë mesazh tek qytetaret tanë e në mënyrë të veçantë tek bashkëluftëtarët e mi: Ndjehuni krenarë me luftën e juaj, të cilën e keni bërë për lirinë e vendit tuaj. Askush nuk mund ta mohojë kontributin e juaj. Kjo iniciativë ka të bëjë me i ndalë zërat dhe manipuluesit, të cilët janë duke u munduar të abuzojnë në emrin tuaj, sikurse edhe në emrin tim”, ka thënë ai. Veseli ka shtuar se nuk do të lejojë që veteranët të jenë lëmoshë, por ata të japin kontributin për vendin.

 

“UÇK-ja është e shenjtë, statusi i luftëtarit po ashtu. Shteti i Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, dhe unë, në çfarëdo pozicioni që jam, nuk do të lejoj që luftëtari të jetë lëmoshë dhe statusi i tij të varet prej 170 eurove. Pas kësaj iniciative do të këtë edhe iniciativa tjera që do ta rregullojnë statusin e luftëtarit, që kanë të bëjnë me marrjen e përgjegjësisë, me jep kontribut, qoftë në çështjen e punësimit, qoftë në inkuadrimin në ndërmarrësi”, ka deklaruar Veseli para mediave.

 

Autor: RTKlive

Autor: RTKlive


MË SHUME NGA Aktuale