“AS”: Kosova me të drejta të barabarta në Botërorin e Hendbollit

“AS”: Kosova me të drejta të barabarta në Botërorin e Hendbollit

Të martën e ardhshme në Pontevedra dhe në Vigo do të mbahet Kampionati Botëror për Grup-moshat U-21 në hendboll, ngjarje në të cilën është kualifikuar edhe Përfaqësuesja e Kosovës.

Kosova pritet të ballafaqohet edhe me një problem tjetër burokratik në Spanjë, ashtu siç ndodhi në Kampionatin Botëror të Karatesë në vitin 2018, si dhe në Evropianin e këtij viti, ku vështirësitë për sportistët kosovarë ishin të mëdha, shkruan mediumi spanjoll “AS”, përcjell gazeta “Zëri”.

Federata e Hendbollit të Spanjës tashmë ka marrë lajmin për të cilin ka qenë duke e pritur qe tre muaj nga Ministria e Punëve të Jashtme se Kosova do të marrë pjesë në këtë kompeticion me kushte të barabarta si shtetet tjera.

Në ditët e ardhshme para fillimit të Kampionatit do të publikohet dokumenti ku përmenden shtetet që diskriminojnë Kosovën, vend i cili tashmë është i pranuar nga federatat evropiane dhe ato ndërkombëtare. Gjatë tre muajve të fundit Federata dhe Ministria në Spanjë kanë punuar që t’i parandalojnë sportistët kosovarë të paraqiten me simbole shtetërore dhe të mos intonohet himni, megjithatë kjo nuk është realizuar.

“Ne do ta përmbushim atë që ju thoni”, tha së fundmi Paco Blazquez, presidenti i Federatës së Hendbollit të Spanjës, i cili ka ndier edhe presionin e Federatës Ndërkombëtare se Spanjës mund t’i hiqet organizimi i Kampionatit Botëror të Vashave në vitin 2021.

Kampionati Botëror U-21 nuk ka qenë në rrezik, sepse tashmë Federata Ndërkombëtare nuk ka pasur kohë ta gjejë një vend alternativ, por që dënimi do të ishte i pashmangshëm. Në këtë kohë së bashku me Federatën spanjolle, Komiteti Olimpik Spanjoll, Këshilli i Lartë i Sportit kanë punuar për ta gjetur një zgjidhje të përhershme në lidhje me ngjarjet e ardhshme që do të zhvillohen në Spanjë, në të cilat merr pjesë edhe Kosova.

Në lidhje me këtë çështje gazeta “Zëri” ka kontaktuar me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili tha se tashmë sportistët kosovarë do të mundë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare që zhvillohen në Spanjë pa asnjë problem.

“Para disa muajsh ministri i Sportit në Spanjë në koordinim me presidentin e Komitetit Olimpik të Spanjës ka konfirmuar se tashmë sportistët e Kosovës do të mundë të hyjnë në Spanjë dhe të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Kjo është duke u respektuar tashmë dhe për këtë ne jemi mirënjohës”, tha fillimisht Hasani për gazetën.

Tutje Hasani tha se KOK-u dhe Federata e Hendbollit të Kosovës i janë mirënjohës edhe presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hasan Moustafa.

“KOK-u dhe FHK-ja i janë mirënjohës qëndrimit të prerë të presidentit të IHF-s, Hasan Moustafa, i cili para disa javësh kishte thënë se pa Kosovën kampionati në fjalë nuk do të organizohet në Spanjë”, shtoi Hasani.

Në anën tjetër trajneri i Përfaqësueses U21 të Kosovës në hendboll, Fatmir Muhaxheri, është i kënaqur me punën që po bëjnë juniorët para paraqitjes historike në Kampionatin Botëror që mbahet në Spanjë prej 16 deri më 28 korrik.

“Përgatitjet deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Nuk kemi pasur telashe me ndonjë lëndim dhe kjo është me shumë rëndësi. Tani po punojmë në aspektin tekniko-taktik që të bëhemi gati për ndeshje”, u shpreh Muhaxheri për faqen zyrtare të FHK-së.

Kosova U21 ndeshjen e parë e luan më 16 korrik ndaj Kroacisë në Pontevedra.