Milani bën ofertë zyrtare për Veretout, Fiorentina lë jashtë grumbullimit

Milani bën ofertë zyrtare për Veretout, Fiorentina lë jashtë grumbullimit

Fiorentina ka publikuar sot listën me futbollistët që do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në International Champions Cup, ndërsa është vënë re përjashtimi i bujshëm i mesfushorit francez Jordan Veretout.

Ky i fundit ka qenë në qendër të merkatos ditët e fundit, pasi kërkohet me ngulm nga Milani e Roma, me kuqezinjtë dukshëm të më avantazhuar, pasi kanë marrë edhe miratimin e mesfushorit, që preferon Milanon përballë kryeqytetit.

Drejtuesit e Milanit kanë fiksuar një takim pasditen e sotme me homologët te Fiorentina, ku natyrisht që në qendër të bisedimeve do të jetë transferimi i Veretout, me kuqezinjtë që kanë gati një ofertë prej 18 milionë eurosh, plus bonuset.

Vendimi mbetet për drejtuesit e klubit vjollcë, që me gjasë do të pranojnë ofertën e Milanit për të kënaqur futbollistin, por edhe për të hapur një dritare merkatoje me kuqezinjtë, pasi në javët në vijim mund të bëjnë një ofertë për mesfushorin argjentinas Lucas Biglia.

Jordan Veretout është 26 vjeç dhe prej dy sezonesh ka qenë pjesë e Fiorentinës, ku në 69 ndeshje të luajtura, ka arritur të shënojë 13 gola. Mesfushori francez njihet si një gjuajtës i mirë i 11-metërshave.