Për gjashtë muaj, mbi 57 mijë turistë vizituan Beratin

Për gjashtë muaj, mbi 57 mijë turistë vizituan Beratin

Berati, qyteti unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum rreth 2400 vjet më parë, u vizitua nga 57341 turistë gjatë periudhës janar-qershor 2019.

Mbi kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot, Berati është një nga destinacionet kryesore turistike në vend.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat, bën të ditur për ATSH-në se “nga data 1 janar deri në fund të qershorit Berati është vizituar nga mbi 57 mijë turistë, ndërsa pritet që numri të shtohet në gjysmën tjetër të vitit”.

Sipas DRKK-së, vetëm në qershor ky qytet u vizitua nga 13648 turistë, ndërsa po ky muaj ka shënuar 1439 turistë më shumë se qershori i vitit 2018.

Turistët që kanë vizituar këtë qytet janë më shumë gjermanë italianë, bullgarë, francezë, sllovenë, amerikanë, spanjollë etj.

Si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe bota.

Një interes të madh turistët kanë treguar për kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit: Mangalem e Goricë, si dhe Urën e Goricës.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta, shkruan ATSH.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare