Gjermania ndihmon në jetësimin e sigurimeve shëndetësore

Gjermania ndihmon në jetësimin e sigurimeve shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Uran Ismaili ka pritur sot në takim ministrin e shëndetësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn.

Të dy ministrat ranë dakord të përshpejtojnë zbatimin e reformave që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve duke rritur bashkëpunimin midis dy vendeve në sektorin shëndetësor.

Me këtë rast ministri Ismaili dhe ministri Spahn kanë nënshkruar Deklaratën e parë të Përbashkët në histori në mes të dy vendeve për bashkëpunim në shëndetësi.

Sigurimi shëndetësor, rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë pikat kryesore mbi të cilat do të orientohet bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

 “Është një ditë historike për Kosovën ngase kjo është hera e parë që nënshkruajmë deklaratë të tillë me Gjermaninë. Gjermania, një ndër shtetet më të fuqishme në Evropë, është aspirata dhe pika e jonë referente për sistemin tonë shëndetësor. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë që të zhvillojmë një sistem shëndetësor modern dhe të qëndrueshëm që i mbron qytetarët tanë nga varfëria”, ka thënë ministri Ismaili.

Ministri Ismaili tha se zotimi që ka marrë sot nga Qeveria gjermane prek pikërisht dy ndër pikat më kyçe të sistemit shëndetësor kosovar: menaxhimin spitalor dhe sigurimet shëndetësore.

“Më konkretisht presim që tash e tutje në baza të rregullta të shkëmbejmë ekspertizën, informacionin dhe përvojat e nevojshme në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë. Kemi krijuar një bazë të fortë ku shkëmbimet profesionale në sektor janë të lehta dhe mirë të organizuara”, ka thënë ministri Ismaili.

Ministri Ismaili shtoi se si shtet i ri që ka vuajtur nga mungesa e investimeve, Kosova duhet që shëndetësinë e saj ta projektojë dhe ndërtojë me mjetet më moderne të këtij shekulli. “Pra, Gjermania, jo vendet e ish-Jugosllavisë, duhet të jetë modeli dhe vizioni ynë për 50 vitet e ardhshme”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, ka ranë dakord, se Deklarata e Përbashkët e Qëllimit fokusohet në tema me rëndësi për të dy vendet.

“I lumtur që po mundësohet një bashkëpunim në kuadër të sigurimeve shëndetësore. Deklarata e Përbashkët  gjithashtu krijon një hapësirë për bashkëpunim në lidhje me përmirësimin e cilësisë dhe standardit të infermierisë në Kosovë, si dhe certifikimin e tyre.", ka thënë ministri Spahn.

Vizita e ministrit gjerman Spahn në Kosovë vjen pas takimit që ministri Ismaili kishte me të në Berlin vitin e kaluar. Kjo është hera e parë një ministër gjerman i shëndetësisë viziton Kosovën. Në të njëjtën kohë, kjo vizitë nis edhe formalisht bashkëpunimin në mes të dy vendeve në fushën e shëndetësisë.