Dështon gjykimi për korrupsion ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren

Dështon gjykimi për korrupsion ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren

Ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhemdin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte mungesa e të akuzuarit Musliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit Xheladin Osmani tha se i akuzuari nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

I njëjti bëri të ditur se për sigurimin e prezencës së Musliut në seancën e radhës, do të lëshoj urdhëresë për sjellje me dhunë, Stacionit Policor “Alfa” në Prizren.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 26 korrik 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se në periudhën kohore 2016-201ë në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2 .

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu akuzohet edhe në një rast tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ku në seancën fillestare të mbajtur më 26 prill 2019, ai ishte deklaruar i pafajshëm /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi