Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e dy vëllezërve

Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e dy vëllezërve

Të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë në fshatin Kosuriq të Pejës, Binak Panxha

Binak Panxha akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes të rëndë ndaj vëllezërve Ramiz dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i dështimit të seancës ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, e cila sipas kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, gjendet në pushim mjekësor.

Prezent në sallë të gjykimit ishin prokurori Agron Galani, i akuzuari Binak Panxha me mbrojtësin e tij, avokatin Osmani Cucoviq, dhe nëna e të ndjerëve, Shake Berisha, kurse mungoi edhe dëshmitari Valon Panxha.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me 17 shtator 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi