INPO: Pezullimi i dhënjes së lejeve ndërtimore i jashtëligjshëm

INPO: Pezullimi i dhënjes së lejeve ndërtimore i jashtëligjshëm

Organizata INPO reagon kundër vendimit të kryetarit të komunës së Ferizajt për pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit, saktësisht për objektet e banimit kolektiv, si masë efektive me arsyetim të mirëplanifikimit të territorit dhe ndërtimeve sipas kritereve dhe standardeve më të larta në këtë fushë.

INPO vlerëson se ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe si i tillë shkelë të drejtat e qytetarëve dhe palëve të interesuara për tu pajisur me leje, të cilën u’a garanton Ligji për Nr.04/L-110 për Ndërtim. Sipas këtij ligji, komuna ka kompetencë të lëshojë leje për kategorinë I dhe II të ndërtimit në përputhje me ligjin dhe dokumentet e planifikimit urban të komunës dhe në asnjë mënyrë në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet e drejta e pezullimit të dhënies së lejeve për ndërtim me këtë lloj të arsyetimeve. Për më tepër, INPO pret publikimin e vendimit për të parë mbështjetjen e këtij vendimi në dispozita ligjore, të cilat në këtë rast nuk ekzistojnë.

Kaosit urban dhe betonizimit të qytetit i ka kontribuar dhënia e lejeve të ndërtimit pa kritere ligjore dhe pa u mbështetur në dokumente të planifikimit urban, duke mos i plotësuar kërkesat minimale të shëndetit publik, krijimit të hapësirave publike, zonave të gjelbra brenda zonës urbane etj.

Në këtë drejtim, INPO i rekomadon kryetarit të komunës që të bëjë një “skanim” të lejeve të lëshuara deri më tani, duke u siguruar se të gjitha lejet e dhëna janë nën frymën e ligjit dhe dokumenteve të brendshme për planifikim urban. Gjithashtu, kryetari i komunës, siç edhe obligohet me ligj, duhet të angazhoj inspektoriatin komunal që të zbatojë obligimet ligjore për të inspektuar në terren, si dhe hartoj raporte cilësore dhe profesionale për nivelimin e zbatimit të lejeve, respektivisht tejkalimit apo devijimit nga kushtet e lejeve të dhëna deri më tani, si dhe të mbajë përgjegjës sipas ligjit të gjithë ata zyrtarë publik që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Tutje, planifikimi i territorit dhe vendosja e standardeve të mira në fushën e ndërtimit nuk bëhet duke i mohuar qytetarëve dhe palëve të interesuara paisjen me leje ndërtimore, por duke zbatuar me efikasitet aktet ligjore në fuqi të kësaj fushe dhe dokumentet e planifikimit që ka komuna e Ferizajt.

INPO i rikujton kryetarit se Plani Zhvillimor Komunal është miratuar në vitin 2017, dhe edhe pse kanë kaluar dy vite nga ajo periudhë, komuna komuna nuk e ka miratuar Hartën Zonale, e cila është mjet për arritjen e objektivave dhe qëllimeve të Planit Zhvillimor Komunal.

Ndaj, INPO bën thirrje që komuna të angazhohet seriozisht në hartimin e dokumenteve cilësore të planifimit urban, të krijojë mekanizma të mbikëqyrjes së dhënies së lejeve në pajtim me ligjin dhe objektivat e PZHK-së, të aplikojë inspektimet sistematike të ndërtimeve dhe të jetë e përkushtuar në  luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në këtë fushë.

Vetëm në këtë mënyrë Komuna mund të intervenojë për të mirë në kaosin urban dhe ndaljen betonizimit të qytetit, dhe jo duke kufizuar të drejtën ligjore të qytetarëve për tu pajisur më leje ndërtimi.

INPO rithekson se problemi i kaosit urbanistik në Ferizaj përmes lëshimit të lejeve pa kritere dhe mosinspektimit në rastet e ndërtimeve në kundështim me lejet e lëshuara është nën përgjegjësine e të gjithë zyrtarëve në komunën e Ferizajt, përfshi zingjirin i cili përfundon deri tek përgjegjësia e kryetarit të Komunës.

Prandaj, INPO sikurse deri më tash, kërkon nga kryetari kthimin e ligjshmërisë në miratimin e politikave dhe vendimeve në komunën e Ferizajt, si të vetmen rrugë për të shpresuar në zgjidhjen e problemeve të shumta urbane të krijuara nga zyrtarët komunal së bashku me ndërtuesit e pandërgjegjshëm.

Deri atëherë, INPO fton organet e hetuesisë dhe ndjekjes që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ta kthyer ligjshmërinë në komunën e Ferizajt.

 


MË SHUME NGA Nacionale