Shpaloset shtatorja e dëshmorit të parë të Zonës Operative të Neredimes

Shpaloset shtatorja e dëshmorit të parë të Zonës Operative të Neredimes

Me homazhe tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve në Ferizaj dhe me vënien e kurorave me lule pranë varrit të dëshmorit Nazmi Ukësmalji, kanë filluar sot aktivitetet për të nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit Nazmi Ukësmajli i cili ishte dëshmori i parë i rënë në betejën që po zhvillonin ushtarët e UÇK-së me forcat serbe në Jezerc para 21 vitesh.

Ndërkaq pas homazheve familjarë, bashkëluftëtarë, eprorë të lartë të UÇK-së, struktura politike e qytetarë të shumtë kanë marrë pjesë në manifestimin përkujtimor për dëshmorin Nazmi Ukësmajli, shtatorja e të cilit u shpalos me nderime nga të pranishmit.

Me një fjalë rasti në manifestimin e sotëm përkujtimor për dëshmorin Nazmi Ukësmajli e ka mbajtur edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu. Ai ka potencuar se dëshmorët meritojnë respektin dhe nderimin e pafund, duke porositur gjeneratat e reja që të jenë gjithmonë të vëmendshme kur bëhet fjalë për sakrificën sublime të dëshmorëve.

“Sot, kur ky fllad vere kaplon gjithë ajrin e lirisë, ngre shtat, në vallen e krenarisë sonë kombëtare, bashkë me Naimin, Kemajlin, Dritonin, Rexhepin, Brahimin, Afrimin, Agimin, Sadikun, Hyrën, Ahmetin edhe luftëtari i orëve të para të luftës për çlirim, dëshmori i parë i Zonës Operative të Neredimes – Nazmi Ukësmajli. Liria ishte rrënjosur thellë në zemrën e gjithsecilit prej çlirimtarëve, në syrin e patrembur që nuk njihte frikën, dobësinë e zbrabsjen. Ata janë kudo nëpër atdhe, në shtatore që lartësojnë nderin e krenarinë tonë e i japin notat më kuptimplote të qenurit shqiptar. Nazmiu la gurbetin, la rehatinë dhe mirëqenien e tij personale. Atë e thërriste atdheu, në orët më të zeza ku po rrezikohej shfarosja jonë kombëtare. Dhe i tillë, sypatrembur, i doli në ballë, me pushkë e trimëri, dashuri për çdo pëllëmb të kësaj toke, armikut që kishte futur këtu, çizmen gjakatare të pushtimit. Zot, beko gjakun e Dëshmorëve të Kombit, beko lutjen e nënave e baballarëve që bijve i mësuan sesi për atdhe, asgjë nuk ka kuptim më të madh se sakrifica. Beko bashkëluftëtarët në duart e së cilëve u bartën trupat njomak të më të dashurve tanë, që ranë në frontin e së mirës ndaj së keqes, beko fëmijët, pasardhësit e tyre, që pa babanë, pa nënën, pa familjarin, rriten në liri e janë shpresa e amanetit të tyre”, ka thënë Kryetari Aliu, para të pranishmëve. 
Ai tutje është shprehur se qytetit tonë po i kthehet Nazmiu, i përjetësuar në majat e qiellit tonë të lirisë. “Jezerci dha bijtë më të mirë, shtriu sofrën e vatrën e pushkës për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot, 20 vite pas, të gjithë kemi një dhembje, një krenari! Fishkëllen ashpër mungesa e tyre! Ashtu siç loton syri ynë, nga gëzimi që vetëm liria i jep ngjyrë dhe dhembja që për asnjë çast për dy dekada e ndër shekuj nuk do të pushoj”, ka përfunduar numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu. 
Ndërsa ne emër të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, manifestimin e sotëm e ka përshëndetur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, i cili ishte edhe ndër eprorët e lartë në vitet e luftës në Zonën Operative të Neredimes. Ai tha se lufta dhe vlerat e saj asnjëherë nuk do të harrohen por do të jenë gjithmonë udhërrëfyes për një perspektivë sa më të mirë të shtetit të Kosovës.

“Pikërisht sot në ditë e rënies heroike të dëshmorit Nazmi Ukësmajli dhe në Ditën e Veteranit të Degës së Ferizajt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qyteti i Ferizajt nderohet me ngritjen e shtatores së luftëtarit të shquar, të figurës më emblematike të fazës se organizimit, shtrirjes dhe zgjerimit të UÇK-së në zonën tonë, që të fali jetën për lirinë dhe të mirën e popullit e të atdheut. Rënia heroike e Dëshmorit të Kombit Nazmi Ukësmajli i cili bashkërisht me bashkatdhetarët e tij, po bënin përgatitjet dhe vlerësimet e fundit të krijimit të bazës dhe pozicioneve për shtrirjen dhe vendosjen e njësive të UÇK-së në Jezerc të Ferizajt, ishte mesazhi më i qartë se lufta e drejtë e popullit shqiptar do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të Kosovës, që vërtet kulmoi me përmbushjen e misionit të lirisë e me pastaj të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Sot në këtë vend, në këtë shesh, na ka bashkuar lufta, heroizmi, përpjekja dhe sakrifica e vetmohuese e Nazmi Ukësmajlit. Liria dhe të arriturat tjera të vendit tonë janë rezultat i veprës madhore e të lavdishme, veprës më të lartë të rënies së Dëshmorëve të Kombit për liri dhe pavarësi, të cilët ishin rreshtuar përkrah institucioneve më të rëndësishme dhe më me peshë që ka pasur dhe ka krijuar populli shqiptar në Kosovë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që pati shtrirje, organizim dhe zgjerim të shpejtë, të bazuar në respektin e parimeve universale të normave të luftës, dhe gëzoi mbështetje jashtëzakonisht të madhe popullore e ndërkombëtare për drejtimin e luftës së drejtë dhe të pastërt për çlirimin e Kosovës nga Serbia, e cila po kryente krime, gjenocid, masakra, përndjekje e dëbime nga vendi, vrasje të fëmijëve, dhunime, djegje e shkatërrime të objekteve fetare, shkollore dhe të çdo gjejë që nuk ishte serbe”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica.

Imri Ilazi dhe Shukri Buja, ish komandantë të Zonës Operative të Neredimes e përshkruan dëshmorin Nazmi Ukësmajli si një trim sypatrembur, vepra e të cilit do të kujtohet gjithmonë meqë me gjakun e tij vuri vijën e parë të themelit të lirisë. Ndërsa me një fjalim emocionues u shfaq në tubimin e sotëm e bija e dëshmorit Nazmi Ukësmjali, Diana Ukësmajli e cila me lot në sy tha se shpreson që babai i saj po e shikon nga qielli atë dhe zhvillimin e Kosovës. “Lum ai popull që nderon dëshmorët, sepse duke nderuar dëshmorët do të nderojmë vendin tonë dhe nuk lejojmë që e kaluara jonë të përsëritet. Ndjejmë dhembje dhe zbrazëti, por krenaria për ju është më e madhe se çdo gjë në botë. Unë u rrita me krenarinë dhe ndjenjën që jam vajza e Nazmiut, u rrita me krenarinë dhe heroizmin e babit tim, atij babai që nuk e pata fatin që të përkëdhelem dhe të qëndroj në prehrin e tij, sepse për të më e shtrenjtë ishte liria dhe pavdekësia, se familja dhe vajza e tij e vogël. Jeta ishte mjaft e vështirë të jesh në hijen e një trime, por çdo herë jam ndierë krenare që ishte bija e dëshmorëve, por sot qenka një ndjenjë e veçantë kur përball kam një trim të skalitur në bronz që nuk e kurseu as jetën që unë të rritem në liri”, tha mes lotësh Diana, e cila me fjalët e saj përloti edhe te pranishmit.

Në emër të shoqatës së bashkatdhetarëve Nazmi Ukësmajli të pranishmit i përshëndeti Nuhi Bytyqi nga Gjermania, ndërsa në emër të veteraneve ka evokuar kujtime edhe Nazmi Baliu, nga fshati Jezerc. Me këngë e valle dhe nderime ushtarake nga Ushtria e Kosovës, u nderuan jeta dhe vepra e Dëshmorit të Kombit, Nazmi Ukësmajli si dhe u shpalos nga miqtë, bashkëluftëtarët, drejtuesit e shtetit dhe familjarët shtatorja e tij, në sheshin që mban emrin e tij në afërsi të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Në Zonën Operative të Nerodimes në luftën e zhvilluar para 20 vitesh kanë rënë dëshmorë 62 luftëtarë , trupat e të cilëve pushojnë në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.


MË SHUME NGA Nacionale