Kryetari Haskuka mohon të ketë marrë letër nga FFK-ja

Kryetari Haskuka mohon të ketë marrë letër nga FFK-ja

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është deklaruar pas raportimeve se Federata e Futbollit të Kosovës i ka drejtuar një letër në lidhje me klubin e futbollit Liria, me pretekst të politizimit të klubit.

I pari i Prizrenit sqaron opinionin publik se nuk ka pranuar kurrfarë letre nëpërmjet postës apo e-mailit zyrtar, teksa shton se Liria shumicën e buxhetit e ka të siguruar nga ana e Komunës, e cila ka për obligim të kërkojë llogari për paranë publike.

“Federata e Futbollit mund të jetë e keqinformuar pasi është bazuar në shkrimet në media dhe nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Komunën. Pretendimi i Federatës, kinse jemi duke bërë ndërhyrje të dhunshme në klub as që mund të konsiderohet”, ka thënë Haskuka.           

Ai sqaron se deri më tani ka pasur vetëm një iniciativë nga Kuvendi Komunal, për formim të komisionit për monitorim dhe mbikëqyrje jo vetëm të klubit të Lirisë, por të të gjitha subjekteve përfituese nga kodi buxhetor "Politikat zhvillimore të kulturës, rinisë dhe sportit".

“Formimi i këtij komisioni do të vendoset nesër nga anëtarët e Kuvendit në mbledhjen e Kuvendit Komunal. Formimi i këtij komisioni nuk do të ketë për qëllim ndërhyrjen në klub në aspektin organizativ, por do të bëjë vetëm monitorimin e punës së subjekteve përfituese, me theks të veçantë menaxhimin financiar të tyre, dhe do t'i jep rekomandime Kuvendit se si duhet të veprohet tutje me këta përfitues në aspekt të mbështetjes. Ne jemi të obliguar të kërkojmë llogari për paranë publike, prandaj edhe formimi i komisionit ka po këtë qëllim", përfundon Haskuka.