Vijojnë punimet në Rrugën e Arbrit

Vijojnë punimet në Rrugën e Arbrit

Punimet në rrugën në Rrugën e Arbrit po ecin me ritme të shpejta ku pritet që kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore të ketë përfunduar plotësisht brenda afateve të parashikuara.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot një video nga ecuria e punimeve në këtë rrugë, ku vihet re intensiteti i lartë i punimeve në veprat kryesore të kësaj rruge.

Puna tashmë ka hyrë në një faze më të avancuar të grafikut të punimeve duke u përqendruar në ndërtimin e trupit të rrugës dhe të shtresave rrugore, përfshirë dhe ata të gjelbërimit, në ndërtimin e llojeve të ndryshme të veprave të artit, në punimet për hapjen, betonimin dhe ata elektro-mekanikë të tuneleve, në ndërtimin dhe montimin e urave të mëdha, në drenazhimin e trupit të rrugës, etj.

Ndërkaq punimet në tuneli T5, me një gjatësi prej 500 metër kanë përfunduar plotësisht përveç shtresës se asfaltit. Me të njëjtat ritme është punuar edhe në Urën e Vashës, ku kanë mbaruar themelet dhe është montuar gjysma e strukturës metalike.

Punimet në Urën e Vashës, e konsideruar si një ndër urat më të larta në rajon, 150 metra nga niveli ku është nisur, do të përfundojnë gjatë periudhës së verës. Kjo urë përbëhet nga themele betoni dhe strukturë metalike tip kapriate, hark. Edhe në krahun tjetër të urës, në hyrjen e tunelit T6, që ka një gjatësi 335 metër, është ecur paralelisht dhe tashmë është hapur plotësisht, si dhe po avancohet me fazat e tjera të punimeve.

Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km nga të cilat deri më sot janë hapur plotësisht 5 tunele dhe po vazhdon hapja e tunelit të Murrizit nga dalja e tij. Ne total janë hapur deri me tani 2.8 km tunel.

Një volum i madh pune është kryer për ndërtimin e katër urave kryesore, një prej të cilave është edhe Ura e Vashës. Kështu janë përfunduar tërësisht Ura U3 mbi Lumin Zalli i Bulqizës me gjatësi 144 m dhe ajo U4 mbi Drinin e Zi me gjatësi prej 260 m.

Po punohet me intensitet edhe për ndërtimin e Urës së Fshatit Fshat që ka një gjatësi 250 m dhe lartësi 157 m mbi Lumin e Xibrit e cila ndodhet midis tunelit T3 dhe atij T4./atsh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare