​Fjalimi i fundit i Theresa May si kryeministre, dënon politikat populiste

​Fjalimi i fundit i Theresa May si kryeministre, dënon politikat populiste

Kryeministrja May, e cila do të largohet nga posti brenda një jave, pas një mandati trevjeçar të dominuar nga Brexit-i, dënoi “politikën ndarëse” dhe tha: “disa po humbasin aftësinë për të mos u pajtuar pa dëmtuar pikëpamjet e të tjerëve”.

May njoftoi dorëheqjen e saj muajin e kaluar pasi Parlamenti hodhi poshtë marrëveshjen e saj të ndarjes me Bashkimin Evropian, e cila kishte për qëllim të siguronte një largim të rregullt të Britanisë nga blloku.

Plani u hodh poshtë pjesërisht nga anëtarët pro-Brexit-it të Partisë Konservatore të May, të cilët dënuan kompromiset me BE-në.

Në fjalimin e saj të fundit si udhëheqëse e vendit, May dënoi politikën populiste të “fituesve dhe humbësve, të cilët e shohin kompromisin dhe bashkëpunimin përmes institucioneve ndërkombëtare si shenja të dobësisë, e jo të forcës”.

Ajo mbrojti bashkëpunimin ndërkombëtar dhe theksoi nevojën për të ruajtur marrëveshjen e klimës së Parisit dhe marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin, të cilat Presidenti Trump i ka hedhur poshtë.

May ka pasur një marrëdhënie nganjëherë të tensionuar me presidentin amerikan, i cili e ka quajtur qasjen e saj ndaj Brexit-it “naive” dhe ka thënë se ajo duhet të kishte dëgjuar këshillat e tij për të paditur BE-në, përcjell Rtsh.

Javën e kaluar, ambasadori britanik në Uashington dha dorëheqjen pasi presidenti Trump u përgjigj me zemërim ndaj kabllogrameve diplomatike të bëra publike ku ai e përshkruante Shtëpinë e Bardhë si “kaotike” dhe ”jofunksionale”.