OKB: Hungaria të rivlerësojë qëndrimin ndaj emigrantëve

OKB: Hungaria të rivlerësojë qëndrimin ndaj emigrantëve

Raportuesi i posaçëm për të drejtat e njeriut të emigrantëve, Felipe Gonzales Morales, pas vizitës së tij në Hungari, tha se “politizimi i çështjes së emigracionit në Hungari ka keqtrajtuar migrantët".

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga Hungaria të rivlerësojë narrativen e saj të “orientuar drejt sigurisë” për drejtimin e migracionit dhe të lëvizë shpejt drejt një qasje “të bazuar në të drejtat e njeriut”.

Raportuesi i posaçëm për të drejtat e njeriut të emigrantëve, Felipe Gonzales Morales, në një deklaratë me shkrim pas vizitës së tij në Hungari, tha se “politizimi i çështjes së emigracionit në Hungari ka keqtrajtuar migrantët".

Gonzales i bëri thirrje qeverisë hungareze të rivlerësojë qëndrimin e saj dhe menjëherë të ndalojë shpalljen se po përballet me një “situatë krize”.

Ai shtoi se shqetësimet e sigurisë nuk mund të arsyetojnë shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Emigrantët janë portretizuar si armiq të rrezikshëm në diskurset zyrtare dhe publike në këtë vend, por ajo që pashë gjatë vizitës sime ishte një grup burra, gra, djemsh dhe vajzash të dëshpëruar, traumatizuar dhe të pafuqishëm të izoluar prapa gardhit me tela në zonat e transitit”, tha Gonzales.

Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, Hungaria është vend transit, burim dhe destinacion i migrimit të rregullt dhe të parregullt.

Në vitin 2015, Hungaria vendosi gardh me tela në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë për të ndaluar rrjedhën e refugjatëve. Për kalime të paligjshme, ky vend po ashtu zbatoi dënime më të ashpra, përfshirë burgosjen, si dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në zonat kufitare.

Budapesti në mënyrë të përsëritur ka thënë se migrimi ishte një rrezik për sigurinë dhe se migrimi i paligjshëm duhet të ndalet./aa/