ARK formon komision për të hetuar sulmin në Erbil

ARK formon komision për të hetuar sulmin në Erbil

Anëtari i Komisionit për Siguri dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të ARK-së, Muhamed Said deklaroi se komisioni do të zhvillojë hetime të detajuara rreth sulmit të djeshëm në Erbil.

Kuvendi i Administratës Rajonale Kurde (ARK) në veri të Irakut ka marrë vendim për nisjen e hetimeve lidhur me sulmin e djeshëm në një restorant në Erbil, ku humbi jetën një diplomat turk dhe dy shtetas irakianë.

Anëtari i Komisionit për Siguri dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të ARK-së, Muhamed Said deklaroi për mediat lokale se komisioni do të zhvillojë hetime të detajuara rreth sulmit të djeshëm në Erbil, ku do të kyçen edhe forcat policore për të gjetur sa më parë autorët e sulmit.

Said potencoi se informacione që do të nxjerrin nga hetimet do të ndahen me publikun dhe se qëllimi i Kuvendit dhe qeverisë është të mbrojnë jetën e qytetarëve, veçanërisht diplomatëve si dhe stabilitetin e përgjithshëm në rajon.

Policia e Irakut njoftoi se në sulmin e armatosur në një restorant në Erbil është vrarë një zyrtar i Konsullatës turke dhe dy shtetas të Irakut./aa/