Kujdes nga ekstremistët në Rusi... dhe gratë!

Kujdes nga ekstremistët në Rusi... dhe gratë!

Pasagjerët e aeroportit të qytetit uzbek, Namangan, të cilët udhëtojnë në Rusi, ushqehen me predikime islame rreth besnikërisë, rreziqeve nga ekstremizmi fetar dhe gratë ruse.

Qëllim kryesor i fushatës së Uzbekistanit me imamë që predikojnë në aeroport thuhet se është mbajtja e njerëzve larg grupeve terroriste dhe ekstremiste.

Një video e postuar në mediat uzbeke sociale më 15 korrik e tregon një imam duke iu adresuar pasagjerëve përpara se të hynin në avion drejt Rusisë.

I shoqëruar nga një punonjës i aeroportit, imami i paralajmëron pasagjerët kundër organizatave terroriste që ai i përshkruan si “një nga kërcënimet më të mëdha të kohës sonë".

Ai i thotë masës që të jetë "vigjilente ndaj grupeve terroriste që veprojnë me maskën e Islamit" dhe përpiqen të rekrutojnë njerëz, sidomos ata që kërkojnë njohuri fetare në internet.

"Kjo ndodh veçanërisht me punëtorët migrantë në Rusi", thotë imami Abduvosit.

"Nëse keni nevojë për informacion rreth Islamit ose dëshironi t’i zgjeroni njohuritë fetare, ju mund të gjeni lehtësisht informata të tilla në faqet e internetit të Uzbekistanit, të tilla si muslim.uz, islom.uz, ose ravza.uz", shpjegon imami.

Muslim.uz është faqja zyrtare e Departamentit shtetëror të Çështjeve Islame, ndërsa ravza.uz drejtohet nga zyra rajonale e këtij departamenti në qytetin Namangan.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, një zyrtar në Aeroportin Ndërkombëtar Namangan konfirmoi se predikimet kryhen në kuadër të fushatës shtetërore kundër ekstremizmit.

Predikimet në aeroportin në Namangan

"Këto predikime janë hartuar nga Komiteti për Çështje Fetare për udhëtarët që udhëtojnë në Rusi për punë", tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.

"Meqenëse është e pamundur të mblidhen të gjithë udhëtarët në rrugë, predikimet zhvillohen në portën e nisjes", tha ai.

Po sipas tij, predikimet zhvillohen para çdo fluturimi nga Namangani për në Moskë, Shën Petersburg, Jekaterinburg, Novosibirsk dhe qytete të tjera ruse.

Së paku 2 milionë migrantë nga Uzbekistani - vendi më i populluar i Azisë Qendrore me rreth 32 milionë njerëz - punojnë në ndërtimtari, fabrika ose në sektorin e bujqësisë në Rusi.

Ka pasur gjithashtu qindra migrantë uzbekë që janë bashkuar me grupin ekstremist të Shtetit Islamik në Siri ose Irak, pasi janë rekrutuar dhe radikalizuar në Rusi.

Në të kaluarën, Uzbekistani ka dërguar imamë dhe figura të tjera islamike në Rusi për të takuar migrantët uzbekë dhe për t’i paralajmëruar ata kundër grupeve ekstremiste dhe terroriste.

Nuk dihet nëse predikimi i imamëve po ndodh edhe në aeroporte të tjera në Uzbekistan.

Në Namangan, imamët që predikojnë në aeroport po ashtu iu bëjnë thirrje pasagjerëve që udhëtojnë në Rusi, që të mbeten besnikë ndaj bashkëshortëve, ndaj Islamit dhe ndaj atdheut të tyre “pavarësisht se ku ndodhen”.

"Gratë myslimane nuk duhet t’i mashtrojnë burrat e tyre dhe burrat myslimanë nuk duhet t’i mashtrojnë gratë e tyre, pavarësisht se ku jeni, sepse Zoti nuk i pëlqen mëkatarët", thotë Abduvosit.

Imami po ashtu u bën thirrje atyre që shkojnë në Rusi që të mos harrojnë "përgjegjësitë financiare dhe morale" ndaj prindërve dhe fëmijëve të tyre./REL