Venezuelë, opozita bën thirrje për protestë masive javën e ardhshme

Venezuelë, opozita bën thirrje për protestë masive javën e ardhshme

“I bëjmë thirrje gjithë Venezuelës që të mobilizohet. Së bashku me fuqinë qytetare dhe me punën e Asamblesë Kombëtare do të përparojmë në një fazë tjetër në luftën tonë”, tha Guaido.

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, ka paralajmëruar një protestë masive për të martën e ardhshme për të hapëruar në “fazën tjetër” të përpjekjes së tyre për të marrë pushtetin.

“I bëjmë thirrje gjithë Venezuelës që të mobilizohet. Së bashku me fuqinë qytetare dhe me punën e Asamblesë Kombëtare do të përparojmë në një fazë tjetër në luftën tonë. Të gjithë në Karakas! #GreatStreetSession (Tubimi i Madh i Rrugës)”, shkroi Guaido në llogarinë e tij në Twitter.

I penguar nga kundërshtimi i ushtrisë venezueliane dhe sfidat popullore ndaj legjitimitetit të tij, delegacioni i Guaido-s pranoi të marrë pjesë në iniciativat në Oslo dhe Barbados për negociata me qeverinë.

Përderisa bisedimet në Oslo në muajin maj nuk ishin të frytshme, të dyja palët ende nuk janë prononcuar qartë rreth përmbajtjes së bisedimeve të fundit në Barbados apo për ndonjë marrëveshje të mundshme.

Ndërkohë që Guaido vazhdon me retorikën e tij të ashpër kundër qeverisë pavarësisht “negociatave të paqes” në vazhdim, presidenti Nicolas Maduro dhe delegacioni i tij vlerësojnë procesin e dialogut “të suksesshëm”.

BE dhe "Mercosur", thirrje për zgjedhje të reja në Venezuelë

Pas një marrëveshjeje të fundit të tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian (BE) dhe bllokut tregtar të Amerikës së Jugut “Mercosur”, së bashku BE dhe "Mercosur" dolën me një thirrje të re për Venezuelën për të mbajtur zgjedhje.

Pas deklaratës së të martës nga Këshilli i BE-së, duke iu referuar krizës migratore, humanitare dhe politike, grupi "Mercosur" i bëri thirrje Venezuelës të mbajë zgjedhje presidenciale të lira, të ndershme dhe transparente “në kohën më të shkurtër të mundshme”.

Në një deklaratë përfundimtare të Samitit LIV në Argjentinë, dje vendet përfshirë Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Kolumbinë, shprehën shqetësimet e tyre rreth krizës në Venezuelë duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë “promovimin e restaurimit të plotë të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Venezuelë”.

Të martën, Këshilli i BE-së riafirmoi se kriza në Venezuelë kërkon një zgjidhje politike “urgjente”, e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet një procesi paqësor, demokratik dhe venezuelian, që çon në “zgjedhje të lira dhe të ndershme presidenciale”.

Trazirat politike midis presidentit Maduro dhe kreut të opozitës Guaido kanë vazhduar në Venezuelë që nga 10 janari, kur ky i fundit shpalli veten president të ligjshëm të Venezuelës duke refuzuar rizgjedhjen e presidentit Maduro në vitin 2018 si një mashtrim. Ky veprim i Guaido-s u njoh nga më shumë se 50 vende.

Mirëpo, institucionet e Venezuelës dhe ushtria kanë vënë peshën e tyre prapa presidentit Maduro.