Bota përkujton Nelson Mandelën në 101-vjetorin e lindjes

Bota përkujton Nelson Mandelën në 101-vjetorin e lindjes

Mandela ndërroi jetë në vitin 2013, por është shndërruar në simbol universal të paqes duke inspiruar shumë njerëz anekënd botës.

Bota përkujton burrështetasin më të respektuar botëror Nelson Mandela, duke shënuar përvjetorin e 101-të të lindjes së tij.

E emëruar nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës, 18 Korriku gjithashtu përkujton luftën kundër racizmit dhe aparteidit.

Për të nderuar liderin e tyre të madh dhe kontributin e tij vetëmohues ndaj njerëzimit, banorët e Afrikës së Jugut do të shënojnë ditën duke dedikuar 67 minuta të kohës së tyre për të kontribuar vullnetarisht për kauza të mira.

Mandela u bë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Afrikën e Jugut në vitin 1994. Ai udhëhoqi shtetin drejt një organizimi multi-racial. Ai u tërhoq nga funksioni në vitin 1999 pasi i përfundoi mandati, duke refuzuar për t'u kandiduar për mandat të dytë.

I lindur në fshatin Mvezo në provincën East Cape, Mandela kaloi 27 vite në burg për kundërshtim të aparteidit të regjimit. Ai iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) në moshën 25-vjeçare, bashkë me bashkëpunëtorët besnikë, si Walter Sisulu dhe Oliver Tambo. Ata gjithashtu formuan Ligën e të Rinjve të ANC-së.

- Presidenti i parë me ngjyrë

Pasi diplomoi juridikun, Mandela themeloi një kompani ligjore me shokun e tij Oliver Tambo. Ata u bënë avokatët e parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut.

Për shkak të kundërshtimit të tij për sundimin e pakicës së bardhë, ai u dërgua në burgun në ishullin Robben në Cape Town, ku kaloi 18 vite. Më pas ai u dërgua në burgun Pollsmor. Pas lirimit të tij në vitin 1990, ai në vitin 1994 u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ajo çfarë e veçoi personalitetin e tij ishte se ai nuk kreu hakmarrje dhe nuk kishte hidhërim ndaj torturuesve të tij. Në vend të kësaj, ai zgjodhi pajtimin dhe faljen për t'i bashkuar të gjitha grupet racore në Afrikën e Jugut. Qasja e tij prej një lideri dhe aftësia e tij për të bashkuar të gjithë, i sollën atij admirim global dhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1993.

Pas përfundimit të mandatit në vitin 1999, Mandela iu bashkua fushatave globale të paqes dhe kujdesit mjekësor për përfitim të njerëzisë. Ai mori pjesë në fushatat kundër virusit HIV, që kishte përfshirë vendin, madje duke shkaktuar vdekjen edhe të njërit prej djemve të tij.

- Njeriu i paqes

Mandela udhëhoqi bisedimet e paqes në Republikën Demokratike të Kongos (DRC), Burundi dhe në shtete të tjera të botës.

Mandela në vitin 1944 u martua me gruan e tij të parë, Evelyn Ntoko, një infermiere në Afrikën e Jugut. Ata u ndanë në vitin 1958, ndërsa ajo ishte nënë e 4 fëmijëve me Mandelën.

Në vitin 1958, Mandela u martua me Winnie Madikizela e cila lindi dy vajza. Pjesa më e madhe e jetës së tyre martesore kaloi ndaras, pasi Mandela ishte në burg.

Winnie Madikizela Mandela, e cila ndërroi jetë para dy vitesh, u bë edhe vetë figurë e fuqishme politike. Mandela u nda nga ajo në vitin 1994. Ai u martua për herë të tretë në vitin 1998 me Graca Machel, një politikane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut nga Mozambiku. Ajo është një aktiviste ndërkombëtare e të drejtave të grave dhe fëmijëve dhe ka fituar titullin British Dame nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 1997 për punën e saj humanitare./aa/