Rritet numri i të vdekurve nga zjarrvënia e qëllimshme në Japoni

Rritet numri i të vdekurve nga zjarrvënia e qëllimshme në Japoni

Numri i të vdekurve pas një zjarrvënie të qëllimshme në një studio të animacionit në Kioto të Japonisë është rritur.

Autoritetet kanë njoftuar se tashmë numërohen 26 të vdekur nga kjo tragjedi, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë të plagosur.

Një person i moshës 41-vjeçare kishte hyrë në studion e “Kyoto Animation” mëngjesin e së enjtes duke hedhur benzinë përpara se t’i vinte flakën.

Mediat raportuan se ai ka bërtitur “vdisni”, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe thika. Ai është arrestuar dhe është dërguar në spital me lëndime.

Në momentin e zjarrit në ndërtesë gjendeshin rreth 70 persona, 36 prej të cilëve raportohen të lënduar, disa në gjendje të rëndë.

Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe kryeministri japonez Shinzo Abe i cili tha se ishte një ngjarje e tmerrshme që nuk përshkruhet me fjalë.