Edhe komuna e Obiliqit kërkon anulimin e konkursit të MASHT-it

Edhe komuna e Obiliqit kërkon anulimin e konkursit të MASHT-it

Komuna e Obiliqit ka reaguar ndaj konkursit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, të hapur me datë 25 qershor ku parashihej të punësohen gjashtë psikologë dhe katër pedagogë, në institucionet edukativo-arsimore në regjionin e Prishtinës.

Në reagim Komuna e Obiliqit konkursin e quan të kundërligjshëm.

“Konkursi i shpallur është në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore në fuqi, duke pasur parasysh që MASHT-i nuk është punëdhënës i stafit të mësimdhënësve të angazhuar në sistemin e arsimit në shkolla. Konkursi i lartcekur i publikuar nga MASHT-i, është në kundërshtim me ligjin e punës nr.03/212 Nenit 8, që në rastin konkret MASHT-i ka bërë shkelje ligjore, duke marrë kompetencat e nivelit komunal që nuk i takojnë.”

Komuna e konsideron këtë konkurs të papranueshëm dhe i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të kursehet nga ndërhyrja në kompetencat e komunës për sa i takon sistemit të arsimit në nivelin parauniversitar.

“Ky veprim i MASHT-it, do të thotë suprimim i ligjit nr.03/L-040 , për vetëqeverisjen lokale dt.06.2008,neni 4. Veprimi i MASHT-it, në rastin e shpalljes së konkursit për rekrutimin e stafit të mësimdhënësve dhe stafit tjetër profesional për punë në shkolla, për komunën e Obiliqit është i papranueshëm, përkatësisht kërkojmë nga MASHT-i , që të kursehet nga ndërhyrja në kompetencat e komunës për sa i takon sistemit të arsimit në nivelin parauniversitar, me këtë rast anulimin e konkursit dhe ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të rekrutimit për konkursin e shpallur për “Psikologë dhe pedagogë “ të datës 25 qershor 2019.”

Më herët ndaj këtij konkursi ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës.