Supermakinat elektrike, Britania e Madhe prodhon modelin e ri Lotus Evija

Supermakinat elektrike, Britania e Madhe prodhon modelin e ri Lotus Evija

Lotus ‘Evija’; supermakina e parë britanike, e gjitha elektrike, ka mbërritur. Lotus, shpreson tani, se ‘Evija’ e re do të konkurrojë fuqishëm Roadsterin e Teslës, pavarësisht se çmimi në këtë pikë, mund të jetë një pengesë.

Makina, që karikohet në vetëm 9 minuta, do të kushtojë mbi 2.1 milionë dollarë dhe do të hyjë në prodhim në 2020.

Supermakina do të ketë 1972 kuaj fuqi falë katër motorëve elektrikë të saj, një për çdo rrotë. Ka një shpejtësi maksimale prej afro 322 km në orë dhe kap shpejtësinë nga 0 në 100 km në orë në vetëm 3 sekonda.

Evija është një supermakinë e gjitha elektrike. Do të jetë makina më e fuqishme e prodhuar në botë”, tha Phil Popham, Lotus CEO.

Lotus thekson se ‘Evija’ karikohet nga 0 në 80 për qind në 12 minuta dhe një karikim i plotë zgjat për 18 minuta. Ndërsa me mënyrën super të shpejtë të karikimit, procesi zgjat vetëm nëntë minuta. Me peshën 1680 kg, ‘Lotus’ thotë se modeli i ri i saj do të jetë makina elektrike më e lehtë që ka hyrë ndonjëherë në prodhim seri. ‘Lotus Evija’ është në fakt e para makinë e projektuar që kur kompania u ble nga grupi kinez Geely, që po ashtu zotëron edhe Volvon.