Haziri inkurajon angazhimin e të rinjtëve në vendimmarrje

Haziri inkurajon angazhimin e të rinjtëve në vendimmarrje

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka marrë pjesë në debatin që është organizuar me të rinjtë nga organizata “D 4 D” e Gjilanit, ku janë shtruar tema të ndryshme që nga zhvillimi ekonomik lokal, pastaj punësimi dhe mundësia e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje në nivelin lokal.

Kryetari Haziri në debatin me të rinjtë ka thënë se rinia e Gjilanit është aktive dhe institucionet komunale janë të përkushtuara për krijimin e kushteve për shkollimin e mesëm dhe mbështetjen e studentëve.

“Kemi punuar vazhdimisht që shkollimi i mesëm t’u mundësohet të gjithë të rinjëve, pa dallim gjinie apo largësie nga shkolla. Për këtë Gjilani ka konviktin e nxënësve, pastaj mbështetjen me bursa të vogëla, në drejtimet profesionale të agro-biznesit kryesisht, sepse baza ekonomike në Gjilanit për të ardhmen është bujqësia dhe agro-biznesi. Poashtu kemi të rinjtë student, të cilët aktivitetet e tyre lirshëm mund t’i realizojnë në shtëpinë e rinisë e cila është duke u shfrytëzuar vazhdimisht nga organizatat rinore dhe studentore”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari gjatë debatit ka potencuar edhe aspektin financiar i cili nëpër vite ka shënuar rritje dhe në të ardhmen do të ketë rritje më të madhe për t’i mbështetut idetë dhe aktivitetet e të rinjëve në përgjithësi.

“Në aspektin financiar sa i përket rinisë, kemi pasur një rritje të ndjeshme të buxhetit në nivelin lokal, por ende pjesën më të madhe e merr kultura dhe sporti, në bazë të ligjit për sponzorizimin e sportit. E ardhmja në këtë drejtim duhet domosdo të shënoj një rritje, në mënyrë që aktivitetet rinore dhe studentore të përkrahen edhe më shumë”, ka thënë kryetari Haziri.

Në kuadër të kësaj Komuna e Gjilanit siç ka thënë kryetari Haziri, ka bërë rritjen e nivelit të bursave dhe tashmë ndahen 55 mijë euro bursa për studentët e rregullt të Komunës, gjithashtu ai ka thënë se Gjilani tashmë ndan edhe bursa të ekselencës për studentët e dalluar në nivele të ndryshme të shkollimit, që nga studentët që studiojnë në Tokio e deri te ata në Shtetet e Bashkuara.

“Komuna e Gjilanit përpos bursave që ndan në çdo vjet, gjithashtu ka bërë subvencionimin edhe të nxënësve e studentëve të cilët janë duhe ndjekur studimet nëpër shtete të ndryshme nëpër botë, pastaj pjesëmarrjen në gara të ndryshme ndërkombëtare e që normalisht kap një kosto më të shtrenjtë se bursa. Pastaj është edhe biblioteka e qytetit e cila është duke u shfrytëzuar maksimalisht studentët dhe nxënësit edhe përtej Gjilanit dhe disponon me kushte shumë të mira”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Për fund kryetari Haziri ka inkurajuar të rinjtë që të jenë aktiv dhe të bëhen pjesë e proceseve vendimmarrëse në shoqëri, njofton Komuna e Gjilanit.