Vendoset gurthemeli në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Doganaj

Vendoset gurthemeli në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Doganaj

Fshati Doganaj do të bëhet me objekt të ri shkollor. Sot u vendos gurthemeli i objektit të ri shkollor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “ Ali Asllani” në fshatin Doganaj.

Me këtë rast Kryetari i Komunës Besim Ilazi, falenderoi të gjithë ata që kontribuuan në nisjen e punimeve në ndërtimin e objektit të ri shkollor, duke e konsideruar këtë ditë të veçantë për arsimin në Kaçanik.

“Sot është një ditë e veçantë dhe një ditë gëzimi për secilin nga ne si dhe për arsimin në Kaçanik, po e vendosim gurthemelin e një shkolle të re, një projekt shumë i rëndësishëm për nxënësit dhe mësimdhënësit. Falenderoj të gjithë ata që kontribuuan në jetësimin e këtij projekti, duke uruar që punimet të përfundojnë sipas planifikimeve” tha mes tjerash kryetari Ilazi.

Në fund të fjalimit të tij Kryetari tha se investimet në infrastrukturën arsimore në Kaçanik ende janë të mirëseardhura, si parakusht për ngritje të cilësisë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, tha se ky gurthemel nuk është vetëm një premtim i realizuar, por është edhe obligim i yni që ne, si Ministri e Arsimit, jemi zotuar për të investuar në objekte moderne në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim. Drejtori i Shkollës Fillore “ Ali Asllani” Nehat Selmani i përshëndeti të pranishmit dhe njëkohësisht falenderoi të gjithë ata ë ndihmuan në fillimin e punimeve në objektin e ri shkollor.

Të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti i Parlamentit të Republikës Kosovës Ilmi Reqica, ndërsa në fund u vendos gurthemeli nga Kryetari Besim Ilazi, Ministri Shyqiri Bytyqi si dhe prindi i dëshmorit Kemal Kolshi- Hisniu. Ky objekt shkollor do të kushtoj mbi 1 milion euro, projekt nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.


MË SHUME NGA Nacionale