Ish-ministri i MAPL-së deklarohet i pafajshëm për nxitje të urrejtjes

Ish-ministri i MAPL-së deklarohet i pafajshëm për nxitje të urrejtjes

Ish-ministri i Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, të premten, e ka mohuar fajësinë për veprën penale “ nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Todosijeviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) lidhur me deklaratat fyese për masakrën e Reçakut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur në Departamentin Special  të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Atdhe Dema, ish-ministri ka thënë se nuk ka qenë qëllimi i tij të ofendojë dikë.

“E kam kuptuar aktakuzën, edhe njëherë gjykatë e nderuar dëshiroj të theksoj se qëllimi im nuk ka qenë askënd që ta ofendoj dhe as që të shkaktoj te dikush urrejtje, përçarje, mos durim, mos tolerancë. Këtë e kam deklaruar edhe te prokurori”, ka thënë i akuzuari Todosijeviq.

Tutje, ai ka thënë se derisa ka qenë ministër në ministrinë e lartpërmendur, i ka çmuar serbët e shqiptarët dhe në asnjë moment nuk ka bërë ndonjë dallim.

“ Edhe njëherë më vjen keq, shprehi pendim të sinqertë po që se e kam ofenduar dikë dhe në këtë rast deklarohem se nuk e ndjej veten fajtor, duke theksuar edhe njëherë se nuk ka qenë qëllimi nga ana ime që këdo qoftë ta ofendoj”, ka thënë i akuzuari Todosojeviq.

Para deklarimit të të akuzuarit, prokurori Dema është paraqitur i gatshëm që aktakuzën në fjalë ta lexoj edhe në gjuhën serbe, mirëpo një gjë e tillë nuk u konsiderua e nevojshme nga mbrojtja e të akuzuarit, avokati Nebojsha Vllajiq.

Ky i fundit tha se konsiderojnë që në këtë rast nuk ka vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në fillim të seancës, gjykatësi Musa Konxheli i ka pyetur palët nëse kanë kundërshtim në përbërjen e gjykatës.

Një kundërshtim të tillë e ka paraqitur avokati Vllajiq.

“Ju lutem mos ta merrni personalisht,  unë nuk dyshoj në profesionalizmin e askujt, asnjërit. Mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është kompetente për gjykimin e kësaj çështjeje, po që se ekziston vepra penale, kjo vepër penale është kryer në territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, është e drejtë e prokurorit special të inicioj procedurë, mirëpo të njëjtën ai mund ta përfaqësoj para të gjitha gjykatave në Kosovë, përfshirë edhe atë në Mitrovicë, për çka tha se e kundërshton çfarëdo trupi gjykues të  kësaj gjykate.

Një deklarim të tillë e ka përkrahur edhe i pandehuri Todosijeviq.

Lidhur me këtë, gjykatësi Konxheli ka thënë se është e vërtetë se vendi i kryerjes së veprës penale është në territorin e Komunës së Mitrovicës, mirëpo sipas tij Departamenti Special është formuar për të gjykuar të gjitha rastet që janë në kompetencë të PSRK-së dhe këtë e parasheh neni 3 i Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Departamentit Special.

Edhe prokurori Dema deklaroi se konsideron se gjykimi për këtë rast duhet të vazhdojë të mbahet në Departamentin Special në Prishtinë, ku edhe është dërguar aktakuza.

Në fund, gjykatësi Konxheli e ka njoftuar të pandehurin dhe avokatin e tij për afatin 30 ditor për paraqitjen e  kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Pas këtij afati, ai ka thënë se gjykata do të përgjigjet me shkrim ndaj atyre kundërshtimeve apo kërkesave eventuale.

Ndryshe, Ivan Teodosijeviq, ishte ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila është në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të këtij viti, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda  në Republikën e Kosovës. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi