Halili: Intelekti, shërbëtor që ndihmon shkrimin të dalë jashtë

Halili: Intelekti, shërbëtor që ndihmon shkrimin të dalë jashtë

Shkrimtarja dhe hulumtuesja shkencore Ervina Halili, është autore e librit me poezi “Amuletë”, me të cilin ka marrë çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, nga Ministria e Kulturës kohë më parë, e librit “Vindira”, librit konceptual poetik “Gjumi i Oktopodit”, në dorëshkrim ka romanin e radhës, me titull “Theta”, që është gjatësi valore”, etj.

Ervina, është pjesë e Lidhjes Evropiane të Shkrimtarëve dhe për çdo organizim të përbashkët të tyre, udhëton me ta. Ajo ka marrë pjesë në disa rezidenca të shkrimtarëve nëpër Evropë e gjithashtu ka marrë dhe çmime. Është duke punuar për ta realizuar një platformë online, ku do të digjitalizohen fillimisht pjesë të arkivit dhe disa punë të shkrimtarëve, të cilët botoheshin ose punonin në “Rilindja” gjatë viteve 60-90-të. Në intervistë për Radio Kosovën, duke folur për përkthimin e letërsisë, ndër të tjerat Halili thotë se: “Nëse e shohim letërsinë si ndërkomunikim kulturor, përkthimi është politikë shumë e rëndësishme”.

Keni bërë një eksperiencë udhëtimesh nëpër Evropë, për hulumtimet mbi psikanalizën, rezidencat e shkrimit, por edhe si anëtare e Lidhjes se re të Shkrimtarëve Evropianë. Çka kujtoni më së shumti nga këto përvoja?

Më së shumti kujtoj sa keq jam ndjerë kur kam udhëtuar për herë të parë e vetme për të qëndruar për një periudhë më të gjatë kohore jashtë Kosovës. E kam kuptuar sa shoqëri e lidhur jemi, ndonëse mund të mos e vërejmë. Ne jemi shoqëri shumë e veçantë, por edhe me varshmëri të shumta. Gjërat më të bukura i kam mësuar nga mungesat. P.sh ato që kanë munguar në vendin tim i kam mësuar tek kur kam shkuar në një vend tjetër dhe I kam hasur dhe anasjelltas, ato të cilat kanë munguar në një vend tjetër, i kam mësuar kur jam kthyer në vendin tim dhe I kam hasur, dhe më besoni, janë të shumta. Evropa ndonëse politikisht tenton të funksionojë si union, ka një shumësi kulturash shumë të lokalizuara dhe qartësisht të ndara, bile edhe fanatikisht të ruajtura brenda kufijve të tyre, andaj përvoja në secilin prej vendeve në të cilin kam udhëtuar ka qenë shumë e ndryshme brenda veçantive të tyre kulturore. Ndonjëherë më ka rastisur të jetoj në një kambanë-kulle dhe të hapë dyert për çdo mëngjes për turistët dhe ndonjëherë tjetër në kulmin e muzeut më të madh bashkëkohor me koleksionin më të pasur të artit modern, ndonjëherë ngjitur me muzeun e letërsisë e diku tjetër në një apartament të thjeshtë me koleksion të pasur pllakash gramafoni dhe librash të grimcuar minjsh, diku buzë një lumi e diku brenda një manastiri ku ende jetojnë murgeshat, ndonjëherë në një konvikt universitar më shumë studentë ndërkombëtarë prej nga vinte aromë ekzotike erëzash nga kuzhina e korridorit afër dhomës, ndonjëherë në një kabinë të vogël afër muzeut të vikingëve dhe njëherë tjetër në një kullë të vjetër në qytetin më të vogël në botë.
E admiroj kulturën, sa magjike mund të jetë, por edhe idenë që ne krijesat njerëzore pashmangshëm kemi krijuar kaq shumë fraksione kulturore dhe i bymejmë e shtresëzojmë brenda nevojave tona të pavetëdijshme. E admiroj qenien e cila ka kureshtjen, dashurinë dhe vullnetin ta dokumentojë kulturën me të gjitha format e jetës dhe jo jetës në të duke u nisur nga vetja dhe kultura e saj, nga syri dhe momenti i saj. E çka mund të jetë letërsia tjetër pos një dokumentim, një fotografi e ekzistencës së kësaj qenieje brenda një kulture, të cilën ajo e ndjen pavetëdijshëm si modalitet shprehës. Kështu bënim edhe ne kur mblidheshim për të udhëtuar me javë të tëra më një autobus të vogël nëpër çdo qytet të Evropës dhe ndaleshim për t’u bërë pjesë e ndonjë ngjarje letrare sa për të kuptuar se çfarë letërsie bëhet në këto qytete dhe se a do të kenë ndonjëherë një gjuhë të përbashkët letrare, ose ndoshta gjithmonë e kanë pasur. Dhe, ne e kuptonim që ajo perceptohej aq ndryshëm shkruhej aq ndryshe dhe diku më shumë përformohej sesa që shkruhej, diku më shumë diskutohej sesa që bëhej, diku më shumë laureohej sesa njihej.

- Sa i bënë mirë një shkrimtari përvoja e udhëtimit?
Ka lloje të ndryshme të shkruesve, aq sa ka lloje të ndryshëm të njerëzve dhe njeriu është krijesë çudibërëse. Për llojin tim të njeriut observimi është shumë i nevojshëm, të kuptuarit nga përvoja. Ne nuk duhet të mendojmë se të gjithë duhet të ikim diku që të bëjmë shkrime të mira ose të jemi të frymëzuar, por ka rëndësi që edhe aty ku jemi të jemi eksplorues. Jo vetëm mihës të mendjes dhe emocioneve tona, por literalisht eksplorues. Kam frikë që njeriu sa herë e më shumë po humbet kontaktin e realtë me njeriun tjetër dhe me gjithçka tjetër rreth tij. Të jesh eksplorues është ta forcosh trurin tënd të prodhojë hormone besimi, sigurie, kënaqësie. Gabimisht më duket se e trajtojmë letërsinë dhe shkrimin si aktivitetet vetëm intelektual. Është projektim intelektual i perceptimit njerëzor por, njeriu është një kompleks organik shumë më i thellë sesa intelekti i tij, dhe të jemi vetëm intelektualë është ta fyejmë pjesën tjetër të inteligjencës, me të cilën ndoshta pikërisht frymëzohemi për të shkruar. Intelekti është vetëm një shërbëtor që ndihmon shkrimin të dalë jashtë.

- Jeni autore e librit “Vinidra”, “Amuletë”, e librit konceptual “Gjumi i Oktopodit” e disa shkrimeve të tjera eseistike…cilat janë temat dominante të krijimtarisë tuaj?
Nuk kam një target tematik, porse mund të di se çfarë kam trajtuar deri më tani pa dëshirën time, pashmangshëm; Etikën konvencionale në raport me veprimet organike individuale dhe kolektive, vetorganizimin social dhe poetikisht vetëshkatërrimin individual dhe kolektiv. Raportin mistik të njeriut me veten dhe mitet.
- Keni në dorëshkrim dhe librin e radhës, roman, me titull “Theta”, që është gjatësi valore. Çka do të shpalosni për publikun rreth këtij romani që po vjen?
“Theta” është vetëm një titull pune, ndoshta libri do të marrë ndonjë titull tjetër me kalimin e kohës, ai tashmë ka nisur të më befasojë, ndonjëherë më trishton e ndonjëherë tjetër më bën të lumtur.
Në vitet e 90-ta unë jetova pjesërisht në Kosovë. Për aq kohë sa kam jetuar kam pasur përvoja shumë intensive emocionale si fëmijë. “Theta” nuk është një libër autobiografik, porse rimerr ngjarjet reale të viteve 90 ta që nuk janë personale por ngjarje të përgjithshme për shoqërinë shqiptare në Kosovë, dhe i shndërron ato në ngjarje fantastike brenda një realiteti distopik. Libri trajton një komunitet të izoluar i cili nuk është i vetëdijshëm që i është nënshtruar një eksperimenti. Të gjitha eksperimentet ndonëse fiktive brenda librit, janë deri më tani të verifikuara shkencërisht që brenda një jete reale mund të ndodhin me të vërtetë, falë ndihmës dhe bashkëveprimit të shumë shkencëtarëve të universiteteve të ndryshëm të cilët kanë participuar në këtë libër, kryesisht historianë, neurofizicientë, inxhinierë të zërit dhe toksikologë.
- Jeni përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Sa është i rëndësishëm përkthimi për një shkrimtar sot?
Nëse e shohim letërsinë si ndërkomunikim kulturor, përkthimi është politikë shumë e rëndësishme. Unë nuk besoj se vepra dhe gjuha e një shkrimtari mund të përkthehet, por unë besoj në përkthimin si letërsi. Përkthimi e sjell veprën brenda një kulture të re duke tentuar ta mbajë kulturën bazë, dhe pikërisht kjo e nisë një fisnikërim komunikimi kulturor.
- Përveç krijimtarisë letrare, ju merreni edhe me hulumtime. Keni punuar për një kohë të gjatë në mbledhjen e një arkivi të shkrimtarëve të Kosovës dhe tani jeni duke punuar për ta realizuar një platformë online, ku do të digjitalizomi fillimisht pjesë të arkivit dhe disa punë të tyre. Po flasim kryesisht për shkrimtarët të cilët botoheshin ose punonin në “Rilindja” gjatë viteve 60-90. Deri ku keni arritur me punën?
Është shumë e bukur të mendosh që në Kosovë kishte një gjeneratë të tillë, ndonëse ndoshta gjenerata e parë kolektivisht e shkolluar dhe e organizuar për të dhënë një kontribut kaq serioz letrar. Për mua ishte e dhimbshme të shihja që veprat e tyre iknin me ta, dhe kështu vetëm nga dëshira individuale koleksionoja gjithçka që mund të gjeja nga kjo gjeneratë. Një ditë u pa e arsyeshme që këto të dokumentoheshin brenda një platforme më serioze sepse ajo çka ata prodhonin në atë kohë do të duhej të pasonte në kulturalitet dokumentimi në ditët e sotme dhe jo në harresë. Besoj që platforma do të jetë shumë shpejt gati. Në fillim nuk do të jetë e pasur sa do të kisha unë dëshirë, por me kalimin e kohës jam shumë optimiste që do të arrijë aty ku duhet. Platforma fundja është menduar për dy arsye. Për të dokumentuar shkrimtarët dhe rrethanat e punës së asaj periudhë dhe për të ngritur një vetëdije më të thellë të studimeve përmes arkivit, dhe jo vetëm përmes teorisë. E ceka më lart, le të jemi më shumë eksplorues.

- Kosova nuk ka muze të letërsisë. Mendon se mund të bëhet një i tillë?
Platforma është një arkiv dhe muze virtual i letërsisë së prodhuar në Kosovë në vitet 60-90. Pse të mos mund të bëhet? – Muzeu nuk bëhet vetëm kur nuk ka asnjë gjë për tu dokumentuar. Ne kemi aq shumë gjëra për të dokumentuar. Një jetë të tërë.

- Diçka për fund të bisedës?
Ndoshta vetëm duke qenë eksplorues mund ta njohim vetën, përmes gjërave të tjera, të tjerëve dhe vetës sonë.



Autor: Vera Pelaj, Radio Kosova