Ekonomia e Kosovës shënoi rritje të qëndrueshme

Ekonomia e Kosovës shënoi rritje të qëndrueshme

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se ekonomia e Kosovës shënoi rritje të qëndrueshme, e cila pritet të vazhdojë edhe në vitin 2019.

Sidoqoftë, prospektet për rritje mund të ndikohen negativisht nga rritja e rreziqeve të jashtme, si dhe atyre të brendshme siç janë: zgjerimi i vazhdueshëm i deficitit fiskal; rritja e shpenzimeve rrjedhëse të ndikuara nga presionet në skemat sociale dhe Ligji i ri i pagave; rritja e çmimeve, të cilat filluan tendencën ngritëse qysh në tremujorin e fundit të vitit 2018, duke iu atribuuar rritjes së çmimeve në nivel global si dhe vendimit për taksën 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, thuhet në ‘Raportin e Stabilitetit Financiar; BQK-së.
Sipas BQK-së, borxhi i sektorit privat ka vazhduar rritjen, të mbështetur nga rritja dyshifrore e kreditimit të brendshëm, si dhe rritja e borxhit të jashtëm. Stabiliteti makroekonomik si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së portfolios kreditore, në një ambient të kushteve të favorshme të financimit, ka mbështetur rritjen e kreditimit për sektorin privat, raporton RTKlive.
“Rritja e konkurrencës, fokusi strategjik në segmente të caktuara të tregut nga bankat, si dhe përvoja më e gjatë në ndërtim të raporteve me klient ishin faktorë tjerë që vazhduan të mbështesin kreditimin dyshifrorë të sektorit. Kreditë e ndërmarrjeve nga sektori bankar u rritën për 11.0 përqind, por që trendi i rritjes së kredive të reja u ngadalësua në 4.9 përqind nga 34.7 përqind në vitin 2017”, thuhet në ‘Raportin e Stabilitetit Financiar’ BQK-së.
Sipas BQK-së, kreditë e ndërmarrjeve nga ndërmjetësit tjerë financiarë shënuan rritje prej 21.4 përqind, por që mbesin me peshë të vogël në gjithsej borxhin e ndërmarrjeve në rreth 2.7 përqind. Borxhi i jashtëm i ndërmarrjeve vazhdoi rritjen dhe arriti në 21.5 përqind të gjithsej borxhit. Raporti i kredisë së ndërmarrjeve nga bankat ndaj BPV-së arriti në 26.9 përqind në dhjetor 2018 (nga 25.4 përqind një vit më parë).

Autor: RTKlive