“British Airways” e “Lufthansa”ndërpresin fluturimet drejt Kajros

“British Airways” e “Lufthansa”ndërpresin fluturimet drejt Kajros

Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” dhe ajo britanike “British Airways” kanë njoftuar pezullimin e fluturimeve me drejtim kryeqytetin Kajro të Egjiptit për arsye sigurie.

Siç ka bërë të ditur kompania gjermane për uebfaqen e kanalit informativ “Tagesschau”, çështja e sigurisë ka qenë gjithmonë prioriteti i tyre më i rëndësishëm dhe kryesor.

“Pas vlerësimeve që kemi bërë, kemi pezulluar përkohësisht fluturimet tona drejt Kajros”, ka theksuar “Lufthansa” duke mos dhënë detaje se kur dhe sa fluturime janë pezulluar.

Gjithashtu “British Airways” ka njoftuar pezullimin për një javë të fluturimeve me pikëmbërritje kryeqytetin egjiptiane për arsye sigurie.

“Ne shqyrtojmë vazhdimisht në çdo aeroport kudo në botë rregullimet tona të sigurisë dhe për të mundësuar më shumë vlerësime kemi marrë masën e pezullimit për shtatë ditë të fluturimeve drejt Kajros”, thuhet në një komunikatë të kompanisë britanike të fluturimeve.