Nisma sot mban mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë

Nisma sot mban mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë

Sekretari i NISMA’s Socialdemokrate, Endrit Shala, ka konfirmuar se sot në orën 17 do ta mbledhin Kryesinë në një takim të jashtëzakonshëm pas dorëheqjes së Kryeministrit dhe ftesave të Gjykatës Speciale. Partia e Fatmir Limajt ka vendosur të mbledhë Kryesinë në një mbledhje të jashtëzakonshme.

Ministri Endrit Shala ka thënë se aty do të flasin për dorëheqjen e Kryeministrit dhe ftesat e Speciales di dhe për tema tjera aktuale.

“Në orën 17 mbajmë mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë së NISMA’s. Diskutojmë për situatën aktuale”, ka thënë Shala, për Express, të dielën.

Ai ka thënë se NISMA është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme pas situatës së krijuar me dorëheqjen e Ramush Haradinajt.

Shala ka thënë se s’kanë ndonjë propozim se në cilën datë të organizohen zgjedhjet nacionale dhe as s’do të flasin për koalicionet e mundshme.

“Afatet janë kushtetuese dhe ne kërkojmë që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet kur caktohet data e zgjedhjeve”, ka thënë Shala.

NISMA për Kosovën ka pozitën e Zëvendëskryeministrit dhe tri Ministri në këtë Qeveri.

Në zgjedhjet e fundit, NISMA kishte bërë koalicion me AAK’në dhe pastaj të dy partitë kishin arritur marrëveshje me PDK’në, duke krijuar koalicionin PAN, me të cilin formuan edhe Qeverinë.

Mandati i kësaj Qeveria u shkurtua pasi Ramush Haradinaj dha për herë të dytë dorëheqje prej pozitës së Kryeministrit.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.