Kosova në zonën e rrezikut për ujë të pijshëm nga viti i ardhshëm

Kosova në zonën e rrezikut për ujë të pijshëm nga viti i ardhshëm

Nga viti i ardhshëm Kosova mund të futet në një situatë të vështirë për të siguruar ujin e pijshëm. Kështu ka thënë në një intervistë për lajmi.net, Kryeshefin Ekzekutiv i Ndërmarrjes Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” Ilir Abdullahu.

Niveli i liqeve akumuluese të Batllavës dhe Badovcit është në një situatë jo fortë e këndshme. Ata janë të varur nga reshjet e shiut, kryesisht të reshjeve në pranverë e që në këtë vit ishin me intensitet më të dobët. Nëse nuk do të ketë të reshura, edhe gjatë këtij viti Ujësjellësi “Prishtina”, do të sigurojë ujin me vështirësi për konsumatorët. E po që se reshjet në pranverën e vitit të ardhshëm do të jenë sikur në këtë vit, atëherë do të ketë edhe reduktime të ujit.

Kryeshefin Ekzekutiv i Ndërmarrjes Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” Ilir Abdullahu thotë se e gjithë Kosova do të hyjë në një zonë të rrezikut për sigurimin e ujit të pijes duke filluar nga viti 2020.

Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” përfshin ofrimin e shërbimeve në komunat; Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Shtime, Lipjan,Podujevë , Gllogoc,Graqanicë dhe Vushtri. Ndërkohë, me ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj, kryeqyteti dhe disa zona po furnizohen pa ndërprerje të ujit.

Kryshefi, Abdullahu ka kërkuar që të ketë një bashkëpunim më të madh nga ana e autoriteteve të Komunës së Prishtinës në planifikimin e lagjeve të reja, pasi thotë se në shumë prej tyre do të jetë e vështirë të dërgohet uji. Ai ka treguar edhe për hapat që është duke i ndërmarrë kompania për eliminimin e humbjeve të ujit në rrjet nga ku humbet gjysma e ujit që niset nga fabrika për tek konsumatori.

Lajmi.net: Sa është niveli i ujit aktualisht në liqenin e Batllavës dhe të Badovcit?

Abdullahu: Liqeni i Badvcit është një liqen shumë më i vogël në krahasim me të Batllavës. Liqeni i Badovcit derisa ka një mbledhës më të vogël shumë shpejt i bije dhe kuota minimale, ndërsa më më vështirësi rritet në kuotat maksimale. Kështu që, niveli në liqenin e Badovcit është diku minus 6 metra, ndërsa në Batllavë është diku pesë 5.5 metër janë nivelet nga kuota e kapërderdhjes. Nga korriku i vitit të kaluar deri më tani jemi në një vit të thatësirave, apo të reshjeve nën minimale për arsyeje se ka pasur reshtje të borës më të pakta, po ashtu edhe shirat në pranverë kanë qenë më të pakët. Shirat e periudhës së verës janë shira lokale, pasi në një pjesë mund të ketë të reshura e në afërsi të liqeneve mund të mos ketë ose fare pakë.

Pos që po e mbajmë Prishtinë 24 orë me uji, Podujevën, Obiliqin, para një muaji e kemi edhe Fushë Kosovën që e kemi bërë më furnizim 24 orë me uji. Bëhet fjalë për një popullsi të madhe, dikur rreth 50 mijë banorë, dhe një vendbanim ku kemi ndërtime në vazhdimësi.

Lajmi.net: Kjo kuotë e ujit në Badovc e Batllavë, a është e mjaftueshme në mënyrë që të këtë uji pa ndërprerë në këtë vit?

Abdullahu: Akoma nuk jemi në nivelin alarmant. Mirëpo, ne nuk mund të parashikojmë se sa do të shkojë thatësira. Nëse kjo thatësirë vazhdon edhe në vitin tjetër, atëherë mund të them që do të futemi në një nivel alarmant. Aktualisht po e menaxhojmë këtë situatë, por situate do të menaxhohet më mirë nëse qytetarët dëkohen edhe ujin e pijes të mos e keqpërdorin.

Lajmi.net: Gypi i Iber Lepencit a është funksional në rast emergjencë, në mënyrë që të mbushet me uji Badovci?

Abdullahu: Ne patëm filluar që të dërgojmë një sasi të ujit, mirëpo ato sasi janë të vogla e shpenzimet janë të mëdha, ndërsa paraprakisht nuk kemi mbrojtje të kanalit për arsyeje se kanali i pjesës prej Mihajliqit e Besisë, ky kanal lëshohet vetëm në kohërat e sezonit të ujitjes. Ndoshta në të ardhmen ka mundësi që të rehabilitohen edhe të kemi këto alternative. Shpresoj që nuk do të kemi kriza. Por, kjo do të jetë e pashmangshme në dekadën që do të vjen, për arsyeje se situate në aspektin global do të vështirësohet në dekadën e ardhshme. Pra nga 2020 veç parashihen krizat, pasi temperaturat në glob do të rriten. Ne si regjion, si Kosovë nuk do të jemi të pa prekur dhe ne duhet të përgatitemi. Si do të jetë përgatitja e jonë ? Vetëm sasitë që janë të planifikushme, do të përdoren. Pra, do të përdorim ujë për pije, për nevoja higjienike, por assesi për destinime të tjera.

Lajmi.net: Konsumatori më i madh dihet që është kryeqyteti dhe po zgjerohet çdo ditë me lagje të reja që kërkon uji të pijshëm. Cila është bashkëpunimi  i juaj me autoritet komunale, kur hartohen planet rregullative, apo hapësinore të Prishtinës.

Abdullahu: Kisha dashur që me të gjitha komunat ku jemi ne të kemi një bashkëpunim më të mirë kur ato i planifikojnë lagjet e reja. Ne jemi ata që e dinë që a do të jetë vështir të mbulohet ajo zonë me uji, apo jo. Tash, shtrohet një pyetje, nëse fillohet dhe ndërtohet në mes të fabrikës në Shkabaj dhe pjesëve tjera të furnizimit që vinë nga Batllava, shohim që kemi një prurje, një kapacitet shumë më të madhe të ujit, dhe është lehtë në aspektin teknik të shpërndahet. Por, nëse shohim ndërtimet dhe zhvillimin e qytetit nga ana e Badovcit, në një të ardhme jo të largët duhet të fillojmë të mendojmë për ndërtimet në Hajvali në Graçanicë dhe maksimumi deri në lagjet e spitalit, por jo tutje, për arsyeje që kapacitet prodhuese do të ndaleshin rrugës, deri satirat e ujit nuk do të mbërrinin tek rezervarët në Velani. Pra, ne duhet të kemi kujdes dhe duhet të dimë kapacitet dhe ngarkesat. Shumë më lehtë është nëse planifikohet një lagje private, apo një banim privat se sa banimet kolektive ku ka ngarkesë me koncentrik të madh të konsumatorëve. Pa ja shtuar këtu se çka do të bëhet me industrinë përreth, pasi nuk kemi industri përreth e cila do të kuronte kapacitet të mëdha të ujit.

Lajmi.net: Në çfarë kuote është niveli i humbjeve të ujit

Abdullahu: Kemi një sasi të madhe të humbjeve të ujit që na shkon qoftë si keqpërdorim, të cilat njihen si humbje komerciale apo vjedhje. Kur kësaj i shtohen edhe humbjet fizike ku akoma kemi disa lagje ku jetëgjatësia e gypave është mbi 50 vite. Ata gypa janë shumë të amortizuar, prej tyre një sasi e ujit na shkon në tokë. Atëherë shohim që gjysma e ujit që prodhohet humbet. Përqindja e humbjes së ujit nuk është reduktuar, përkundrazi është rritur më lëshimin në funksion të Fabrikës së ujit në Shkabaj. Për arsyeje se ka uji 24 orë. Po të kishte uji 12 orë, edhe humbjet e ujit do të ishin për aq sa ka furnizim. Kur humbjet janë fizike, në kohën e mesnatës presioni rritet dhe humbja është më e madhe si rezultat i konsumit më të vogël .

Lajmi.net: Çka po bëni që ta përmirësoni këtë situatë?

Abdullahu: Shumë shpejtë do të kemi një departament që do të merret veçmas me humbjet e ujit, ku inspektorët, inxhinierët do të fokusohen vetëm në këtë çështje. Mjete logjistike kemi, qëndrojmë mirë. Kemi dhe persona që janë trajnuar në vitin e kaluar në Vjenë. Janë në gjendje që të përdorin pajisje të sofistikuara. Me këtë rast e kemi hartuar edhe një strategji për reduktimin e humbjeve të ujit. Nuk do të kemi reduktim të humbjeve në shkallë të madhe për një kohë të shkurtër, por do të kemi rënie dhe kjo do të shkojë në vazhdimësi.

Lajmi.net: Vitin e kaluar Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje për ndërtimet e larta si asnjëherë tjetër, sa është i vështirë furnizimi me uji për këto banesa, ndërkohë qe bashkë me leje e marrin edhe një pëlqim nga Ujësjellësi?

Abdullahu: Ne lëshojmë një pëlqim paraprakë. Pra ndërtimeve i paraprinë një studim i rrjetave të ujit dhe kanalizimeve. A u janë përshtatur atyre apo jo është diçka tjetër. Më duhet të them se në infrastrukturën e ujit asnjë qeveri komunale nuk ka punuar asnjëherë deri më tani. Do më thënë, kanë marr taksat për leje të ndërtimit, por nuk janë interesuar për pjesën e taksave që do të mundnin të shkonin në Ujësjellësin e Prishtinës. Paraprakisht, leja tek ne kur jepet, lëshohet vetëm për atë që ky ndërtim nuk e dëmton rrjetin ekzistues. Ka shtëpi që edhe para luftës, janë ndërtuar mbi tuba transportues, mbi linjën magjistrale. Kemi shtëpi banimi që për fundi saj shkon tubi që vjen nga Badovci që vjen në drejtim të Prishtinës, ose kemi prej rezervarit të Velanisë në drejtim të Sofalisë. Zonat e reja në të ardhmen që do të bëhen duhet të kemi kujdes. Si është duke u rritur Veterrniku ne do të kemi vështirësi që të dërgojmë shtypje të mirë të ujit atje.

Ndoshta kishte me qenë një standard i mirë i Komunës së Prishtinës që në momentin kur lëshohen leje, tu kërkohet investitorëve që të bëjnë rezervuarë për akumulimin e ujerave të shiut. Nga pullazet apo platot po të bëhen rrjetat e ujëmbledhësve do të akumuloheshin në një rezervuarë qoftë me sasi 10 apo 15 metër kub. Kjo do të bënte që rrjetet e kanalizimeve të mos ngarkoheshin aq shumë, siç po ndodh sa herë bije shi pak më i rrëmbyeshëm.

Lajmi.net: Ku jeni duke punuar aktualisht për zgjerimin e rrjetit të ujit ?

Abdullahu: Jemi në fazën ku do të fillohet rehabilitimi i rrjetave të ujit në Drenas, në Lipjan e keni një pjesë të Fushë Kosovës. Pra në zonat që ajën rrjetat e vjetra, do të intervenojmë me vetëfinancime. Njëkohësisht është duke vazhduar projekti i Qeverisë Zvicerane dhe Qeverisë së Kosovës për furnizimin e fshatrave të reja, si në Shtime, Lipjan dhe në Drenas.

Lajmi.net: Kemi parë një gjobë që ua ka shqiptuar Inspektorit i Komunës së Prishtinës, lidhur me neglizhencën, siç kanë thënë ata, të disa punimeve që i keni bërë ju. Pas kësaj “Ujësjellësi” në një deklaratë ka thënë se do të rishikohet marrëveshja financiare e ndërtimit të fabrikës së ujit në Shkabaj. Çka keni dashur të thoni me këtë ?

Abdullahu: Mbi të gjitha ‘Ujësjellësi’ është i barabartë ndaj të gjithë konsumatorëve, dhe nuk bënë dallime ndaj asnjë konsumatori, regjione apo komune që ne e furnizojmë. Gjoba që i është shqiptuar Ujësjellësit ‘Prishtina’ është gjoba e parë që një inspektorat shqiptuar. Jam shumë i vetëdijshëm, se çdo ditë, çdo inspektor mund t’i shqiptojë nga një gjobë ujësjellësit.  Kjo për arsyeje se çdo ditë punohet në mënyrë që sa më shpejt konsumatorit t’ia kthejmë ujin, aty ku ka pasur probleme. A mbetet gropa keq? Po mbesin keq. Por ne mundohemi që se paku nga ajo gropë të mos shkaktohen aksidente. Për tu sanuar ajo merr pakë kohë. Ishte gjoba për rreth 13 gropa që janë bërë. Pavarësisht sajë ne nuk dëshirojmë që në asnjë të kemi marrëdhënie të ftohta me Komunë për arsyeje se mosbashkëpunimi nuk na qon askund. Ne e kemi një kontratë kornizë, dhe kompania po punon për sanimin e gjendjes në ato vende ku intervenojmë ne. Më herët kamë kërkuar nga ish kryetari e Prishtinës që të bëjmë një memorandum të bashkëpunimi, pasi komunat kanë kontraktor për riparimin e rrugëve, të sanojnë gjenden edhe në ato vende ku në e dëmtojmë infrastrukturën për shkak të ndërhyrjeve në gypa. Ata e kanë stafin inxhinjerik më të përgatitur më të madh në numër dhe ne do të ishim të gatshëm t’i kryenim pagesat.

Të kthehemi të fabrika që e përmendet. Ka qenë marrëveshja që të jetë bashkëfinancim me 5 milionë euro. 2.5 milionë euro i ka paguar komuna, ndërsa pjesën tjetër akoma.

Lajmi.net: A e keni paguar gjobën ?

Abdullahu: Jo akoma. Është një kohë prej 30 ditëve si afat. Ne e kemi dërguar në departamentin ligjor për të parë se a është shqiptuar me vend sipas ligjit. Nuk është problem i madh kostoja financiare, e shohë si problem më i madh që mundet me prodhua probleme apo mosmarrëveshje të tjera. Pra se të shqiptohej ajo gjobë prej 2260 eurove, kemi pritur të kemi një komunikim më të mirë, për të parë se ku jemi me mbylljen e atyre gropave. Ne duhet të shikojmë se si të bashkëpunojmë dhe jo të lëshohemi në aso gjerash. /Lajmi.net/