Haradinaj: Sot kur sërish thirrem në Hagë, Kosova më e fortë se kurrë

Haradinaj: Sot kur sërish thirrem në Hagë, Kosova më e fortë se kurrë

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e cilësoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës si historik.

Para nëntë vitesh, më 22 korrik 2010 GJND shpalli verdiktin se pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Haradinaj kujtoi se një ditë para se të shpallej vendimi për Kosovën nga ky institucion para 9 vitesh, ai kishte marrë ftesë nga Haga për procesin e dytë gjyqësor.

“Për koincidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike”, tha ai.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.

Për koicidencë, një ditë para vendimit të GJND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike. RH

 


MË SHUME NGA Aktuale