Librat e Verës, 10 romanet fantastike

Librat e Verës, 10 romanet fantastike

Vera e vitit 2019 ka shënuar titujt më të nxehtë në treg për të gjithë ata të pasionuar që duan të marrin me vete në çantën e plazhit një libër. Për herë të parë, vjen i përkthyer direkt nga gjuha origjinale prej Mira Meksit “Njëqind vjet vetmi” e Gabriel Garcia Marquez, vlerësuar si një nga romanet më të mira të shekullit të XX.

Njëherësh, ribotohet pas rreth dy dekadash mungesë libri më i mirë i Milan Kunderës, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, shqipëruar nga Saverina Pasho. Autori i bestseller-ave absolut edhe në shqip, vjen me romanin më të ri për lexuesit shqiptarë, “Hipi”. Zhanri i romancës vjen me autorët më të njohur në botë të këtij momenti: Sophie Kinsella dhe Mark Sulivan.

Ndërsa Një xhentëlmen në Moskë i Amor Towles dhe “Presidenti është zhdukur” janë dy romaNe, gërshetim të thriller me atë politik, duke ndërtuar realitete të botës së lartë politike, me intriga dhe skenare që trondisin botën. Po ashtu, për të pasionuarit e serisë së princeshës Sulltanë të Jean Sasson, vjen libri më i fundit në shqip, i përkthyer nga Grida Duma. Nga letërsia shqipe, kemi përzgjedhur romanin “15 ditë prilli” të Anisa Makarian, e cila sendërton një raport të frikshëm të pasioneve të individit në diktaturë.

“Njeqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez
Vjen për herë të parë i shqipëruar nga gjuha origjinale “100 vjet vetmi”, një nga kryeveprat e letërsisë botërore të shekullit të XX. Pas një përvoje të gjatë të përkthimit nga gjuha spanjolle, Mira Meksi sjell magjinë e vërtetë të Marquezit, e cila nuk është shijuar siç duhet deri më sot nga lexuesi shqiptar.

“Hipi” nga Paulo Coelho
Duke iu referuar përvojës së tij të pasur jetësore, Paulo Coelho na kthen pas në vite për të përjetuar sërish ëndrrën e një brezi që kërkonte paqe dhe guxonte të sfidonte rendin shoqëror të kohës.
Nëse dëshiron të njohësh vetveten, fillo të eksplorosh botën përreth teje.

“Lehtesia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera
Një arritje e madhe e njërit nga shkrimtarët më të shquar të kohës, romanca madhështore e pasioneve dhe politikës, pabesisë dhe ideve. Milan Kundera përfshin ekstreme të komedisë dhe tragjedisë, duke ndriçuar të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore.

“Një xhentëlmen në Moskë” nga Amor Towles
“Një xhentëlmen në Moskë” na flet në një epokë tjetër, plot hijeshi dhe elegancë, personazhi kryesor i së dielës është konti Aleksandër Rostov i Rusisë. Një roman që të magjeps kur flet për përpjekjet e kontit për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh njeri me qëllime të mëdha në jetë. Ky libër është rekomanduar edhe nga Bill Gates për tu lexuar gjatë kësaj vere.

“Nën qiellin e përflakur” nga Mark Sulivan
“Aksion, aventurë, dashuri, luftë dhe një hero epik – të gjitha këto të vendosura në një nga periudhat më të errëta të historisë. ‘Nën qiellin e përflakur’ nga Mark Sullivan ka gjithçka që mund të kërkohet nga një roman i jashtëzakonshëm i Luftës së Dytë Botërore.” Personazhi i librit, Pino Lella nuk e dontë luftën. Ai ishte një adoleshent italian i zakonshëm, i pasionuar pas muzikës, ushqimit dhe femrave, por ditët e tija të pafajësisë janë të numëruara. Ai detyrohet me forcë për t’u përfshirë në luftë dhe befas e gjen veten brenda Komandës së Lartë Gjermane. Veç horrorit dhe krimeve, dashuria e tij për Anën i jep kurajo për të vazhduar për të ëndërruar.

“Qyteti i arinjve” nga Fredrik Backman 
Ky roman është konsideruar një prej librave më të mirë të vitit nga LibraryReads, BookBroëse dhe Goodreads. Autori i shumëshitur i “Një burrë i quajtur Uve” rikthehet me një roman mahnitës e thellësisht të ndier mbi një qytet të vogël me një ëndërr të madhe – dhe çmimin që duhet paguar për ta bërë këtë ëndërr realitet.

“Jeta ime jo aq e përsosur” nga Sophie Kinsella
Ky roman është një komedi që luan me shumë zgjuarsi me temën e dukjes. Sa njerëz në botë përpiqen të japin një imazh të vetes që nuk përkon aspak me të vërtetën?

“Princesha duke dale nga errësira” nga Jean Sasson
Duke intensifikuar komunikimet me personalitetet më të larta të këtij vendi në vitin 1983 krijoi miqësi të ngushtë me Sulltanën, një princeshë tjetër mbretërore. Njohja dhe miqësia që pati me Princeshën Sulltana; besimi që ajo krijoi për t’i rrëfyer historitë personale, intimitetet, jetën dhe marrëdhëniet brënda oborrit mbretëror i shërbyen për të botuar serinë e famshme të Princeshës Sulltana.

“Presidenti është zhdukur” nga Bill Clinton dhe James Patterson
E gjithë bota është e tronditur. Por arsyeja e zhdukjes së tij është shumë më e rëndë se ç’mund të imagjinohet. Një libër me detaje që vetëm një president mund t’i dijë dhe me kureshtjen gjithëpërfshirëse që vetëm James Patterson-i mund të ngjallë. Ky roman konsiderohet si trilleri më intrigues dhe mbresëlënës i viteve të fundit.

“15 ditë prilli” nga Anisa Markarian
Romani rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.