Dorëheqja Haradinajt s’do të ketë ndikim në stabilitetin makrofiskal

Dorëheqja Haradinajt s’do të ketë ndikim në stabilitetin makrofiskal

Dorëheqja e papritur e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, nuk do të ketë aspak ndikim në stabilitetin makrofiskal në Kosovë. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën, Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave. Ndërkohë, rezervat shtetërore kanë mbetur vetëm rreth 200 mijë euro, thotë Rafuna.

Kosova ka një stabilitet makro financiar të qëndrueshëm dhe buxheti i planifikuar për vitin 2019, do të shpenzohet sipas parashikimeve. Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk do të ketë ndikim në makro stabilitetin financiar, thotë për Radio-Kosovën, këshilltari në Ministrinë e Financave, Lulzim Rafuna.

“Shteti gjendet shumë mirë në parametrat financiar, në qoftë se shohim bilancin bankar është 659 milionë që nuk ka qenë asnjëherë shuma kaq e lartë. Me plotë mburrje them që shtetit sot ka gjendje financiare shumë të mirë. Kështu që nuk as asnjë efekt është një proces politik,  ndërsa në aspektin finanicar gjithëcka do të shkoj sipas rrjedhës së vet dhe sipas ligjit të buxhetit të paraparë dhe të gjithë parametrat janë në nivelin më të mirë të mundshëm”, tha Rafuna.

Rafuna bënë të ditur se buxheti është i planifikuar mirë dhe as këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit. Ndërkohë tutje, Rafuna thotë se rezervat shtetërore të Kosovës janë shpenzuar dhe aktualisht janë rreth 200 mijë euro.

“Vitin 2019 kemi ndarë rezervën më të vogël që ka qenë ndonjëherë, ka qenë vetëm 4 milionë dhe shpenzimet janë ndarë sipas vendimeve të qeverisë, varësisht prej rrethanave që kanë lind. Rezerva është shpenzuar pothuajse krejt, kanë mbetur vetëm rreth 200 mijë, përkatësisht 197 mijë euro”, tha ai.

Në intervistën për Radio-Kosovën, Rafuna ka folur edhe për situatën në Telekom, ku ka thënë se Ministria e Financave ka themeluar një grup për të shqyrtuar situatën dhe për të parë se cilët janë hapat, që të dilet nga kriza.

Autor: Majlinda Doda