​Hapet panairi i veshjeve tradicionale

​Hapet panairi i veshjeve tradicionale

Sot në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj është hapur panairi i veshjeve tradicionale, organizuar nga shoqata “Drugëza” dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Bekim Jashari.

Në këtë panair dyditor marrin pjesë gra nga Prishtina, Kaçaniku, Malisheva, Shtime, Mitrovica, Gjilani, Drenasi dhe Skenderaj, të cilat do të ekspozojnë punimet e veshjeve tona tradicionale.

Në hapje të panairit, kryetari Jashari ka thënë se këto ditë qyteti ynë është nikoqir i shumë aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore, argëtuese e sportive, për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime në vendlindje.

“Panairi është pjesë e aktiviteteve të organizuara, për çka jemi të lumtur që ka mbledhur shumë gra të zonja, të cilat merren me punimin e veshjeve tradicionale, duke e ekspozuar artin e punës së dorës”, ka thënë kryetari Jashari.

Ai ka shtuar se ky aktivitet do të shërbejë gjithashtu që gjenerata e re e shqiptarëve që ka lindur në shtetet larg Kosovës, të njihet për së afërmi me traditën dhe kulturën e pasur të veshjeve tona tradicionale.