Kthehet në rigjykim rasti i të akuzuarve për planifikim të sulmeve

Kthehet në rigjykim rasti i të akuzuarve për planifikim të sulmeve

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin të akuzuarit Valon Shala, Ardian Mehmet, Genc Selimi dhe Nuredin Sylejmani ishin liruar nga akuza për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë dhe Maqedoni.

Ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit të shkallës së parë mbetet e pa ndryshuar, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

“Shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga gjykata e shkallës së parë, ekzistojnë në atë se gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqit në mënyrë të plotë dhe të qartë se cilat fakte dhe për çfarë arsyeje i konsideron të pavërtetuara, kur të akuzuarit Ardian Mehmeti, Valon Shalen, Nuredin Sylejmanin dhe Genc Selimi, i ka liruar nga akuza për veprat penale lidhur me planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë dhe Maqedoni” thuhet tutje në arsyetimin e aktgjykimit të kësaj gjykatë.

Ndër të tjerash, thuhet se Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme në bazë të të cilave do të eliminoj dyshimin se të akuzuarit ishin grup kriminal, madje arsyetimi i saj është në kundërshtim me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Gjykata e Apelit gjen se shkeljet e theksuara procedurale dhe mangësitë tjera në drejtim të vërtetimit të drejtë dhe në mënyrë të plotë të fakteve me rëndësi në këtë çështje penale juridike, vejnë në mëdyshje aktgjykimin e ankimuar edhe përkitazi me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, të cilat janë cekur edhe në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale” thuhet në aktgjykimin e kësaj gjykate.

Gjykata e Apelit, i propozon gjykatës së shkallës së parë që të veproj në pajtim me vërejtjet e cekura, duke i eliminuar kundërthëniet e theksuara dhe ti administrojë edhe një herë provat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën  kolegjit të  mbajtur më 21 maj ishin shqyrtuar ankesat e palëve, ku PSRK e kishte konsideruar si të gabuar qëndrimin e shkallës së parë se pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që lidhen me terrorizëm.

Sipas ankesës së prokurorisë, dëshmitarët anonim që ishin dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor  në mënyrë të detajuar kishin përshkruar veprimet e të akuzuarve e sipas të cilave vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Për këtë arsye, prokuroria i kishte propozuar shkallës së dytë, që për pjesën liruese, aktgjykimin e shkallës së parë ta anulojë dhe çështjen ta kthej në rigjykim apo që të ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarit t’i shpall fajtor edhe për veprat penale që lidhen me terrorizëm.

Po ashtu, prokuroria është ndarë e pakënaqur edhe me lartësinë e dënimeve të shqiptuara ndaj të akuzuarve për veprat tjera penale, duke theksuar se këto vepra janë të natyrës së rëndë andaj edhe dënimet e të akuzuarve, organi i akuzës ka kërkuar që të jenë më të larta.

Por që lidhur me këtë pjesë, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë, me arsyetimin se dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë janë në harmoni me intensitetin e dëmtimit të vlerës së mbrojtur, shkallën e përgjegjësisë penale dhe rrezikshmërinë shoqërore, duke vlerësuar se dënimet e shqiptuara janë adekuate.

Po ashtu Gjykata e Apelit, kishte refuzuar edhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të pabazuara.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmetit, Nuredin Sylejmanit, Genc Selimit, Valon Shalës dhe Musli Hysenit, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”,  “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”,  “zjarre vënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi  rrezikut të përgjithshëm”,  dhe armëmbajtje pa leje.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, armëmbajtje pa leje, dhe sulm.

Kurse, Musli Hyseni, ngarkohet nga prokuroria me veprat penale të armëmbajtjes pa leje, moslajmërim të përgatitjes së veprave penale dhe moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi