Dënohet me gjobë i akuzuari për pengim dhe sulm ndaj personave zyrtar

Dënohet me gjobë i akuzuari për pengim dhe sulm ndaj personave zyrtar

Gjykata Themelore në Ferizaj, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për pengim dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Përparim Krasniqi.

I akuzuari Krasniqi është dënuar me gjashtë muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit, ky dënim është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 800 euro, të cilën është obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të merr formën e prerë.

Po ashtu, i akuzuari Krasniqi është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro si dhe shumën prej 30 euro në emër të kompensimit të fondit të viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rast të mos pagesës, gjykata këtë dënim me gjobë do ta zëvendësoj me dënim me burg, duke llogaritur një ditë burgimi me 20 euro.

Në fillim të kësaj seance, i akuzuari Krasniqi ka pranuar fajësinë, duke thënë se është penduar dhe se nuk do të përsëris një vepër të tillë penale.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Sebahate Sinani, të cilin pranim, më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i rastit, Ilir Bytyqi.

Ndryshe, i akuzuar për të njëjtën vepër penale ishte edhe Bajram Krasniqi, mirëpo në seancën fillestare të mbajtur më 28 shkurt 2019, ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Përparim Krasniqi.

Ndërkaq, prezent në këtë shqyrtim gjyqësor ishte i dëmtuari Bunjamin Jaha, kurse ka munguar i dëmtuari Fitim Sejdiu.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 dhjetor 2014, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të akuzuarit Përparim dhe Bajram Krasniqi, akuzohen se më 8 nëntor 2017, rreth orës 01:10, në Ferizaj, kishin penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe atë zyrtarët policor Bunjamin Jaha dhe Fitim Sejdiu.

Siç thuhet në aktakuzë, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë derisa policët zyrtar kishin shënjestruar me aparat laserik shpejtësinë e automjetit, të cilën e drejtonte i pandehuri Përparim Krasniqi, e që kishte rezultuar me tejkalim të shpejtësisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, zyrtarët policor kishin dhënë shenjë për ndalje, por i pandehuri Përparim Krasniqi nuk iu kishte bindur urdhrit, dhe kishte vazhduar me shpejtësi edhe më të madhe, kështu duke rrezikuar zyrtarët policor.

Pas kësaj, ata iu kishin vënë pas në ndjekje të veturës, dhe në momentin e ndaljes, të pandehurit kishin mbyll dyert dhe më pas kishin rezistuar fuqishëm gjatë arrestimit, duke iu shkaktuar lëndime të dy zyrtarëve policor, të cilat ishin kualifikuar si lëndime të lehta trupore. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi